Viti i ri shkollor do të nisë sipas planit të paraparë, thotë Jasharaj

30 gusht 2024 | 08:22

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK-ut), Rrahman Jasharaj, ka thënë se viti i ri shkollor do të nisë sipas planit të paraparë.

Megjithatë ai la të kuptojë se mund të ketë hapa tutje në lidhje me krijimin e kushteve për dialog sa iu përket kërkesave të tyre.

“Për t’u ikur grevave e protestave dhe për t’i dhënë hapësirë dialogut, ne kemi filluar dhe jemi të angazhuar që të mbajmë takime me të gjithë ata që ndikojnë në krijimin e kushteve për dialog”, deklaroi Jasharaj për transmetuesin publik të Kosovës, teksa shtoi se u kanë dërguar shkresa të gjithë shefave të grupeve parlamentare të partive politike.

Por, ai pati kritika për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për, siç thotë, shmangien e takimeve me SBAShK-un që nga viti 2022, duke shkaktuar rritjen e pakënaqësisë te punëtorët e arsimit.

Sipas Jasharajt, nëse kërkesat e SBAShK-ut heshten, atëherë mbetet që Këshilli Drejtues, si organ më i lartë i sindikatës, të marrë nisma për të vepruar më tutje sipas ligjeve në fuqi për veprime sindikale.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Benjamin Spencer, i dënuar padrejtësisht nga një gjykatë në Teksas,…