Viti i ri shkollor, Hoti: Si prindër të kujdesemi për fëmijët, të respektohen udhëzimet e IKSHPK-së
Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe drejtoritë për arsim të komunave, në konsultim me SBASHK-un dhe prindërit, i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor.
Hoti ka theksuar se Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja kanë qenë në mbështetje të plotë ndaj kërkesave të ministrit Likaj dhe komunave lidhur me përgatitjet e nevojshme, duke dhënë udhëzime të detajuara për organizimin e mësimit.
“Ministri Likaj ka përgjegjësi të madhe në këtë kohë, dhe të gjithë i kemi qëndruar në mbështetje të plotë, si me buxhet ashtu edhe me mbështetje institucionale. Në dy javën e fundit janë verifikuar ambientet shkollore për plotësimin e kushteve për mësim sipas udhëzimeve të IKSHPK-së. Janë zhvilluar edhe protokollet e sjelljes në rast të paraqitjes së rasteve të infektimeve në shkolla”, ka shkruar kryeministri Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se tash është në “dorën tonë si prindër që të kujdesemi që fëmijët tanë të respektojnë në mënyrë strikte udhëzimet e IKSHPK-së, duke filluar nga shfrytëzimi i transportit për në shkollë, hyrja në shkollë, qëndrimi në klasë, mbajtja e distancës, mbajtja e maskës, pastërtia e duarve dhe udhëzimet e tjera”.
Kryeministri ka pohuar se rreziku nga infektimi mbetet shumë i lartë, pavarësisht rënies së shifrave në ditët e fundit.
“Na duhet mobilizim i plotë i të gjithëve për të ruajtur jetën e atyre që më së shumti janë në rrezik, sidomos tani kur po shkojmë drejt vjeshtës me gjendje të rënduar edhe për shkak të gripit sezonal”.
“Të punojmë së bashkë, me disiplinë maksimale në respektim të masave mbrojtëse, në mënyrë që fëmijët tanë të jenë të sigurt, të kenë mundësi të marrin dijen në bankat shkollore, dhe të mos detyrohemi të ndërpremë prapë mësimin”, ka shkruar kryeministri Hoti.
(Q.R / Epoka e re)