Viti i ri, vit më i mirë sepse Kosova meriton më mirë
Shkruan: Ferat Shala
Viti 2024 po mbyllet mes shumë sfidave politike e ekonomike që kaloi vendi ynë dhe me të cilat po vazhdon të përballet edhe në kapërcyell të moteve. Ashtu sikurse në tre vjetët paraprakë, edhe ky vit u karakterizua nga stagnimi dhe prapakthimi në çdo sferë.
Kosova po futet në vitin 2025 e brishtë së brendshmi dhe e dobët së jashtmi. Së brendshmi, shoqëria e Kosovës është më e përçarë se kurrë më parë. Qeveria e Kosovës i ka kanalizuar të gjitha energjitë nga lufta ndaj oponentëve politikë, nga denigrimi i partive opozitare dhe nga lufta e ulët, duke mos zgjedhur metodë e mjet ndaj gazetarëve e analistëve që demaskojnë për çdo ditë korrupsionin qeveritar. E njëjta teknikë baltosëse është përdorur jo vetëm ndaj opozitës dhe medias, por ndaj kujtdo që ka shprehur qoftë edhe mospajtimin më të vogël me qeverinë – sindikatave, mësimdhënësve, policëve, minatorëve, bujqve etj. Krejt kjo kulturë toksike e sulmeve ad hominem ndaj gjithkujt që nuk pajtohet me qeverinë, ka thelluar më shumë hendekun social, ka thyer kohezionin e brendshëm dhe ka kultivuar polarizimin që prore po e dëmton shoqërinë tonë.
Në arenën e jashtme, Kosova po mbyll një tjetër vit e shkapërderdhur. Kjo qeveri e ka futur vendin në qorrsokak. Kosova vazhdon të jetë nën sanksione nga ata që duhej të ishin aleatët tanë më të mëdhenj. Serbia, e cila haptazi kryen provokacione brenda kufirit të Kosovës, nuk futet në sanksione. Pra, aq shkurtpamëse ka qenë kjo qeveri dhe diplomacia e saj, saqë Serbinë agresore e ka nxjerrë në pah si viktimë, kurse Kosovën viktimë e ka bërë të duket si agresore.
Nga provokimet e vazhdueshme në veri të vendit, qeveria nuk ka arritur ta korrë maksimumin diplomatik. Agresioni i shtetit serb në veri nuk është shfrytëzuar siç duhet dhe Kosova, ndonëse dukshëm ishte viktimë, dështoi ta shpërfaqte të vërtetën e asaj që po ndodh në veri.
Si në çdo sferë tjetër, edhe në diplomaci ky vit ishte në vendnumëro. Ministria e Jashtme nuk ka arritur të sjellë asnjë njohje të re – jo vetëm gjatë vitit që po lëmë pas, por gjatë gjithë mandatit të saj katërvjeçar. Fatkeqësisht, dyert e mëdha të vendimmarrjes botërore, tash e katër vjet, vijojnë të jenë të mbyllura për Kosovën. Ministria e Jashtme është shndërruar në ent punësimi të militantëve e familjarëve, gjersa vizitat dhe shpenzimet e ministres kanë shkuar kryesisht për takime partiake jashtë Kosovës dhe jo për vizita që do të sillnin njohje të reja dhe anëtarësime të reja në organizata e institucione ndërkombëtare.
Qasja skandaloze, bajraktarllëqet anakronike, arroganca fëmijërore dhe mungesa e dellit patriotik i kësaj qeverie ka bërë që sot Kosova t’i ketë në nivelin më të ulët në histori raportet edhe me shtetin-vëlla të Shqipërisë, sikurse edhe me faktorin politik shqiptar në shtetet e tjera përreth. Në vend të ndërtimit të urave të komunikimit, kjo qeveri ka qenë fokusuar që të përzihet në punët e brendshme dhe në proceset zgjedhore në Shqipëri, Maqedoni e Luginë.
Gjersa po i shkruaj këto rreshta, në atmosferën festive të fundit të vitit, familjet kosovare do të duhej të ishin duke u përgatitur të qetë e të lumtur për festat e fundvitit. Shumë prej tyre, fatkeqësisht, janë duke u përballur me vështirësi për shkak të ndërprerjeve kohëgjata dhe të vazhdueshme të energjisë elektrike. Shumë nga këto familje kanë hallin e fëmijëve që nuk arrijnë as t’i ngrohin pa rrymë në këto temperatura acari. Ky është vetëm një nga dështimet e kësaj qeverie.
E preokupuar më shumë për pazaret me Gen-in e Beogradit me energji, partia në pushtet ka kundërshtuar gazsjellësin amerikan, sikurse kishte kundërshtuar dikur ndërtimin e termocentralit të ri, dhe sot fajëson popullin përse ka dështuar ta furnizojë me energji elektrike. Për më tepër, ndonëse nuk kanë rrymë nga 8-10 orë, qytetarët prapëseprapë duhet të paguajnë fatyra të fryra me çmime marramendëse. Në vend se t’i japin zgjidhje këtij problemi, zyrtarët e pushtetit tallen – siç bëri kryeshefi i KOSTT-it, i cili tha se nuk paskemi rrymë për shkak të zhvillimit ekonomik!!! Ta thuash këtë në një vend si Kosova ku vetëm vitin e fundit, sipas Agjencisë së Statistikave, janë mbyllur 1500 biznese, më e pakta mund të quhet ofendim për qytetarin.
Përpos problemeve energjetike e ekonomike dhe stagnimit në politikën e jashtme, Qeveria e Kosovës ka dështuar edhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – atyre falë të cilëve jetojmë sot të lirë – në procesin e tyre gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë. U deshën fjalët e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, për t’ua përkujtuar se është obligim të reagojnë për shkeljet që bëhen në këto procese gjyqësore që zhvillohen atje.
Secili prej nesh ka besuar dhe ende beson në pavarësinë e gjyqësorit dhe përgjithësisht në drejtësinë ndërkombëtare. Por, nuk mund të heshtim kur shkelen të drejtat themelore të të akuzuarve. Po ashtu, nuk mund të heshtim dhe mos ta themi se të gjithë ne besojmë në pafajësinë dhe luftën e drejtë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të gjithë të tjerëve. Ata meritojnë trajtim dinjitoz!
Përgjithësisht, në çdo sferë, në çdo fushë, Kosova meriton më mirë. Meriton një qeverisje kompetente që ka qasje profesioniste dhe ekspertizë në ekonomi, me vizion të qartë kombëtar në raport me Shqipërinë e shqiptarët e rajonit dhe vizion të qartë diplomatik në raport me partnerët tonë perëndimorë. Këtë filozofi politike dhe këtë kompetencë sot e reflekton vetëm Partia Demokratike e Kosovës dhe kandidati i saj për kryeministër, Bedri Hamza. Një punëtor i palodhshëm, një ekspert i pashoq, një njeri me kulturë. Ai është përgjigja për problemet që sot ka Kosova. Ai është kryeministri i ri që Kosovën do ta kthejë në binarët e normalitetit dhe zhvillimit.
Me Bedri Hamzën kryeministër, me qeverinë e re të kompetencës, viti i ri 2025 do të jetë vit më i mirë për Kosovën sepse Kosova meriton më mirë!