Viti i zgjedhjeve dhe sfidave drejt stabilitetit
Zgjedhjet e rregullta parlamentare, që do të mbahen më 9 shkurt, si dhe zgjedhjet lokale në 38 komuna të vendit, që pritet të organizohen në vjeshtë, do të jenë ndër ngjarjet kryesore në Kosovë përgjatë vitit 2025, vlerësojnë analistët politikë në Kosovë dhe Serbi.
Analistët nga Prishtina, Lulzim Pecin, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) dhe Njomza Arifi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, vlerësojnë se rezultatet që do të dalin nga zgjedhjet, qoftë parlamentare, qoftë lokale, do t’i diktojnë dinamikat e zhvillimeve të mundshme politike dhe të sigurisë në vend, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Mendim të përafërt kanë edhe analistët nga Beogradi, politologu, Ognjen Gogiq dhe Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike. Megjithatë, ata i shohin si të mundshme incidentet në veri të vendit dhe cenimin e situatës së sigurisë, në rast se nuk parandalohen ato.
Zbatimi i obligimeve që dalin nga marrëveshjet e arritura në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, do të jetë sfidues gjatë vitit 2025, për Qeverinë e ardhshme të Kosovës, por edhe për atë të Serbisë, vlerësojnë analistët.
Asociacioni, barrë e vjetër për Qeverinë e re
Zgjedhjet parlamentare do të përcaktojnë edhe fatin e ardhshëm të liderëve në skenën politike të vendit, vlerëson Lulzim Peci.
Kjo është arsyeja pse ai pret që fillimi i vitit 2025 të karakterizohet me fushatë zgjedhore agresive të partive politike.
Megjithatë, sipas tij, qeveria e re, kushdo që do ta drejtojë, do të përballet menjëherë me kërkesat që partnerët nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë parashtruar tash e sa kohë.
“Kushdo që bëhet lider i qeverisë së ardhshme, do të përballet me kërkesat për ecjen përpara me dialog (për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë) dhe sidomos me kërkesën për dorëzimin në Gjykatën Kushtetuese të draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, thekson Peci.
Në tetor të vitit 2023, BE-ja ua dorëzoi Kosovës dhe Serbisë një “draft-statut modern” për formimin e Asociacionit. Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia – e mbështetën atë.
BE-ja dhe SHBA-ja i kanë bërë thirrje vazhdimisht Kosovës që ta dërgojë këtë draft-statut në Gjykatën Kushtetuese.
Njomza Arifi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Prishtinës, vlerëson se zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të shpërfaqin edhe performancën e subjekteve të reja politike serbe.
Pjesëmarrjen në zgjedhje e kanë paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjashtë subjekte politike serbe: Demokracia Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Partia e Serbëve të Kosovës, Nisma Qytetare Drejtësia Popullore, si dhe Lista Serbe.
“Ne konsiderojmë se nëse do te thyhej monopoli politik i Listës Serbe kjo do te kontribuonte në rikthimin e normalitetit në Kuvendin e Kosovës, si dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë”, thekson Arifi.
Lista Serbe, është partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Në dhjetë vjetët e fundit, ajo ka fituar zgjedhjet dhe ka përfaqësuar komunitetin në nivelin qendror dhe atë lokal.
Në mbledhjen fillestare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), më 23 dhjetor, kjo parti nuk është certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, pas kundërshtimeve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, me arsyetimin se Lista Serbe nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.
Kjo parti është ankuar më pas në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili e ka urdhëruar KQZ-në ta certifikojë këtë parti.
Më 31 dhjetor, KQZ-ja ka thënë se vendimi i PZAP-së për certifikim të Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit, është i plotfuqishëm dhe duhet zbatuar.
Deputetët e Listës Serbe, në legjislaturën e fundit, kanë bojkotuar shumicën e seancave të Kuvendit të Kosovës.
Në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – Lista humbi pushtetin, pasi kryetarët e komunave atje hoqën dorë nga mandatet, si pjesë e dorëheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit 2022, përfshirë edhe policinë dhe gjyqësorin.
Në vend të tyre, pushtetin e morën kryetarë nga partitë politike shqiptare, të cilët dolën nga zgjedhjet lokale në ato komuna, në prill të vitit 2023.
Ata u kundërshtuan nga serbët lokalë dhe ishin shkas për tensione dhe përplasje të grupeve të serbëve më Policinë e Kosovës dhe pjesëtarët të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR.
Zgjedhjet lokale, rast për kthimin e serbëve në institucione
Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, vlerëson se raportet e partive politike serbe dhe atyre shqiptare do të fillojnë të përcaktohen gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Një fushatë e ashpër, sipas tij, do t’i ashpërsonte edhe raportet ndërmjet tyre.
Këto raporte, sipas tij, do të varen edhe nga fakti se kush do t’i prijë qeverisë së ardhshme të vendit, dhe a do të ketë bashkëpunim të partive serbe me atë qeveri.
“Ky është faktori kryesor dhe këtë do ta kuptojmë në shkurt. Kjo do ta ruajë tonin gjatë tërë vitit. Më pas, vijnë zgjedhjet lokale, të cilat sërish janë më të rëndësishmet për serbët dhe për veriun, për shkak se përmes tyre do të mund të arrihej deri te kthimi i serbëve në institucione”, tha Gogiq.
Në shtator, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një adresim para kombit, kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.
Lulzim Peci vlerëson se zgjedhjet lokale të rregullta që do të mbahen në vjeshtë, do të kenë ndikim të madh në konfigurimin politik të Kosovës, përfshirë edhe veriun e saj të banuar me shumicë serbe.
Ai konsideron që përfaqësuesit politikë të serbëve do të marrin pjesë në ato zgjedhje.
“Do të kemi një situatë interesante, sepse në aspektin politik do të jenë përfaqësuesit serbë të popullatës lokale serbe në veri. Ndërkaq, në anën tjetër, shumica e policëve atje do të vazhdojnë të jenë të komunitetit shqiptar. Të njëjtën gjë e kemi edhe në drejtësi”, thekson Peci, i cili shtoi se kthimi i serbëve të veriut në polici dhe gjyqësor kërkon zgjidhje politike, në mënyrë që të ecet para drejt stabilizimit të Kosovës në përgjithësi.
Edhe Gogiq e sheh pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet parlamentare, e sidomos në ato lokale në komunat veriore të Kosovës, si një rrugë që mund të çojë drejt uljes së tensioneve ne atë pjesë të vendit.
“Ato zgjedhje bartin shansin. Se a do të kuptohet ky shans, është e vështirë të thuhet në këtë moment. Mbase (zgjedhjet) mund të jenë edhe pretekst për përplasjet e reja”, thekson Gogiq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, më 24 dhjetor, ka komentuar mundësinë e veprimeve dhe incidenteve që mund ta sfidojnë sigurinë në Kosovë.
“…pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt, dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri”, ka thënë Kurti.
Ai ka komentuar sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, që ndodhi më 29 nëntor 2024 në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke thënë se urdhrin për kryerje e ka dhënë Millan Radoiçiq, ndërkaq përgjegjës për financimin, planifikimin dhe logjistikën e sulmit është shteti i Serbisë.
Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë të Zveçanit , më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku. Në përleshje e sipër më pas janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Radoiçiq aktualisht po hetohet në Serbi, ndërkaq autoritetet e Kosovës kërkojnë që ai t’i nënshtrohet drejtësisë në Kosovë.
Dialog apo incidente?
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i kthehen dialogut dhe të shmangin veprimet që tensionojnë situatën.
Njomza Arifi shpreh mendimin se pas ndryshimeve në institucionet e Bashkimit Evropian dhe ardhjes në krye të diplomacisë evropiane të Kaja Kallasit, mund të pritet që viti 2025 të jetë më pozitiv në kontekstin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në krahasim me vitin 2024.
“Mund të presim një ekip ndërmjetësues më pozitiv nga BE-ja, ndërsa administrata (e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald) Trump me shumë gjasë do t’ia lë barrën e ndërmjetësimit Brukselit”, u shpreh Arifi.
Por, kështu nuk mendon Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd.
Ai konsideron se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është rrënuar, për shkak se vetë BE-ja nuk ka një politikë të qartë të “menaxhimit të konfliktit”, e cila do të merrej me qetësimin e tensioneve dhe situatave që çojnë drejt destabilizimit.
Janjiq konsideron se “kriza e sigurisë”, do të vazhdojë edhe në vitin 2025.
Duke iu referuar sulmeve në Banjskë dhe në kanalin Ibër-Lepenc si “akte terroriste”, Janjiq thekson se incidentet janë bërë pjesë e politikës ose të konfliktit brenda marrëdhënieve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo do të thotë që do të kemi forma të ndryshme (të incidenteve), sikurse forma që kishte sulmi i fundit terrorist në kanalin Ibër-Lepenc, e para saj edhe në Banjska. Pra, nuk përjashtohet një seri e ngjarjeve të tilla deri në maj apo qershor”, theksoi Janjiq.
Ai shtoi se tashmë është e qartë që nëse të dyja vendet, Kosova dhe Serbia dëshirojnë t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe të hyjnë në Bashkimin Evropian, atëherë ato duhet të bëhen pjesë e NATO-s.
Në pozicionet e tanishme, të dyja vendet, sipas tij, janë “të ekspozuara ndaj ndikimit rus dhe ndikimeve tjera negative”.
Por, përderisa pritja, që gjatë vitit 2025 të dy vendet të anëtarësohen në NATO, nuk është reale, Janjiq beson që së paku do të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “për pakon e sigurisë”.
“Mendoj se qysh moti ekziston vetëdija për një gjë të tillë në Londër. Është e qartë se ideja e tillë është e afërt edhe për mënyrën e qeverisjes së Trumpit. Kjo, sigurisht se do të vijë në radhën e prioriteteve. Nuk do ta bëjnë këtë përmes këtyre mekanizmave që thonë ‘më mirë 100 vjet bisedime’, sikurse BE-ja. Kjo bëhet me grupin e QUINT-it dhe NATO-n. Nuk ka aty ndërmjetësues dhe të tillë të ngjashëm”, theksoi Janjiq.
Ai shtoi se një marrëveshje e tillë do t’i definonte raportet e ndërsjella të institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë të të dyja vendeve, pa hyrë në pikëpamjet delikate dhe të kundërta të tyre lidhur me statusin e Kosovës.
“Duhet të menaxhohet me sigurinë, për shkak të luftërave, të cilat është e mundur të zgjerohen edhe në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Janjiq.