Viti i Skënderbeut, ekspozitë shëtitëse edhe në vende të ndryshme të Evropës
Institucionet e artit dhe të kulturës në Shqipëri janë angazhuar në projekte dhe ekspozita të ndryshme për vitin mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Në muajin janar do të hapet edhe ekspozita e parë në Muzeun Historik Kombëtar me gravura të shekullit XV.
“Më 17 janar do të hapet ekspozita e aktiviteteve për Skënderbeun. Kjo ekspozitë do t’i pasqyrojë momentet më të rëndësishme të vitit të madh, sepse kështu e kemi quajtur”, ka thënë Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.
Kjo ekspozitë do të jetë shëtitëse në vende të ndryshme të Evropës për t’i njohur me një epokë shumë të rëndësishme të Skënderbeut. Por ky vit i rëndësishëm jubilar do të jetë edhe më gjithëpërfshirës në të gjitha hallkat e institucionit.
“Marrin një rëndësi shumë të veçantë e gjithë epoka, qoftë në një pasdite në muze që ne aktivizojmë, qoftë sa i përket kurimit të ndryshëm të objekteve të asaj kohe, qoftë programit të edukimit”, ka thënë Dorian Koçi.