Vitia apel qytetarëve: Respektoni rregullat dhe qëndroni në shtëpi
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se është rritur numri të prekurve me virusin COVID-19 në 13 persona.
Në një lidhje direkte në “Klan Kosova”, Vitia ka thënë se të infektuarit janë nga fshati Stubëll i Vitisë, familjarë të ngushtë të pacientit të diagnostikuar pozitiv të premten.
“Sipas informatave të fundit që i kemi marrë janë shtuar edhe katër raste dhe tani numri ka shkuar në 13 në Kosovë. Janë familjarë të ngushtë të pacientit të identifikuar në Viti. Ata po qëndrojnë të vetizoluar dhe janë në gjendje shëndetësore të mirë”, ka thënë ai.
Vitia ka bërë apel te qytetarët që të respektojnë rregullat për të qëndruar në shtëpi, pasi sipas tij ndihma e tyre konsiderohet të jetë më e madhe se ajo e institucioneve.
“Siç jeni informuar pas masave fillestare që i kemi marrë dje, kemi marrë edhe masa shtesë siç është mbyllja e kufijve tokësorë dhe situata emergjente e shëndetit publik”.
“Qytetarët në këtë rast janë po aq të nevojshëm dhe ndihma e tyre është e domosdoshme që të parandalojmë përhapjen e virusit. Ndihma e tyre është më e madhe se ndihma e institucioneve. Qëndroni në shtëpi së paku për dy javë. Me sa pashë dje qytetarët kanë dalluar të vetëdijesohen dhe kjo tregon një kulturë të lartë. Kjo situatë do të kalohet më shpejt me ndihmën e tyre”, është shprehur Vitia.