Vitia: Buxheti për barna dhe material shpenzues është rritur
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bashkë me ushtruesen e detyrës së drejtorit e përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu-Raçi, kanë takuar anëtarët e Komitetit Kyç dhe Nënkomitetet Teknike për Përpilimin e Listës së Produkteve Mjekësore dhe Materialeve Shpenzuese.
Gjatë takimit me përfaqësuesit e institucioneve përkatëse, ministri Vitia u shpreh se buxheti për barna dhe material shpenzues është rritur nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
“Kemi rritur buxhetin për barna dhe material shpenzues për shëndetësinë parësore, në mbi 21 milionë euro, kurse për shëndetësinë dytësore dhe tretësore, në 36 milionë euro, andaj përpilimi i Listës së re të Produkteve Mjekësore dhe Materialeve Shpenzuese është me shumë rëndësi”, ka theksuar ai.
Dr. Pranvera Zejnulllahu- Raçi, theksoi se Lista e re duhet të ketë në fokus lëshimet që i ka pasur Lista Esenciale e vitit 2019, veçanërisht në vendosjen e indikacioneve të sakta, për secilin ilaç.
“Lista Esenciale e Barnave e vitit 2019, ka pasur lëshim të madh sa i përket imunoterapisë, ku asnjë nga to nuk ka qenë me indikacione, që ka shkaktuar vështirësi në planifikime buxhetore për këtë lloj terapie, me ngarkesa eventuale enorme në buxhetin e shtetit”, tha drejtoresha Zejnullahu-Raçi.
Udhëheqësi i Komitetit për Listën Esenciale, Dr. Driton Vela dhe anëtarët u përgëzuan për punën e bërë bashkë me grupin e ekspertëve, ku si risi është marrë parasysh edhe aspekti farmako-ekonomik.