Vitia dhe Ferizaj kyçen në autostradën “Arbën Xhaferi”
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar të martën kërkesat e Vitisë dhe Ferizajt për kyçjet shtesë në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Kyçja e Gërlicës së Vitisë, ajo në hyrje të Ferizajt dhe ndërtimi i mbikalimit të Paldenicës së Hanit të Elezit, janë kërkesa të parashtruara nga banorët dhe drejtuesit e komunave në fjalë si dhe një grupi të deputetëve të kuvendit të Republikës së Kosovës nga legjislatura e kaluar, të miratuara edhe nga anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror për Zhvillimin e Projektit të Autostradës R6.
“Meqë këto ndërhyrje nuk kanë qenë pjesë e projektit fillestar, në vazhdim nevojitet projektim dhe ndërtim i tyre, punë kjo që do të bëhet nga konsorciumi Bechtel Enka, punëkryes të tërë autostradës. Vendimi për procedim të mëtutjeshëm të punëve në këto projekte, është dëshmi e vendosmërisë së Qeverisë Haradinaj, ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, për plotësim të premtimeve të dhëna ndaj qytetarëve”, është bërë me dije në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.
Autostrada “Arbën Xhaferi” do të hapet për qarkullim të automjeteve nesër (e mërkurë).
/Epoka e re/