Vitia: Do të doja paga edhe më të larta për mjekët

02 shkurt 2023 | 13:32

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se koeficienti i ri më së miri ka adresuar dhe rritur nivelin e rrogave të personeli shëndetësor, ndonëse ka shtuar se si mjek dhe i pari i këtij dikasteri do të donte paga edhe më të larta.

Në konferencën për media pas vizitës në Ferizaj, Vitia ka thënë se krahas koeficientit të ri do të ketë edhe shtesa për personelin shëndetësor që punon vetëm në sektorin publik, si dhe shtesa të tjera si ajo e rrezikshmërisë në vendin e punës.

Ai ka lënë të nënkuptohet se për të gjitha këto do të diskutojnë me Federatën Sindikaliste të Shëndetësisë.

“Koeficienti i ri më së miri e ka adresuar dhe ka rritur nivelin e rrogave të personeli shëndetësor. Nëse më pyesni mua si mjek dhe ministër i Shëndetësisë, kisha dashur të ishin akoma më të larta. Mirëpo kjo kategori ka përfituar pagat më të larta nga ky koeficient. Në anën tjetër, jemi të përkushtuar që përveç përmirësimit të kushteve, që janë edhe në aspektin infrastrukturor por edhe në mjetet e reja të punës, që të kemi temë bisedimi edhe iniciativa tjera për krijimin e kushteve më të mira për punëtorët shëndetësorë. Është në tavolinë dhe tani shumë shpejt do të procedojmë. Për personelin shëndetësor, të cilët zgjedhin të punojnë vetëm në sektorin publik, do të ketë shtesa. Natyrisht, do të ketë edhe shtesa të tjera që kanë të bëjnë me rrezikshmërinë në vendin e punës dhe tjera, të cilat ne do t’i diskutojmë në mënyrën më të sinqertë me Federatën Sindikale të Shëndetësisë, me të cilën nga takimi që kam pasur, nuk janë fare të interesuar të hyjnë në grevë”, ka thënë Vitia.

Më tutje, ai ka treguar se si ndihet pas rikthimit në postin e ministrit të Shëndetësisë për të tretën herë.

“Unë jam për të tretën herë, është e vërtetë që shumë po më thonë ‘veteran’. Herën e parë kam qenë katër muaj, prej të cilëve 2.5 në detyrë, ku bashkë me kryetarin Aliu dhe kryetarët e komunave tjera mendoj se kemi bërë punë të mirë, ka qenë mandati i dytë ku kam qenë 6 muaj ku ka qenë procesi i vaksinave, një që është e vetmja e mirë që është që është përmendur në Raportin e Progresit në shëndetësi dhe tani është hera e tretë që tani është 1 muaj. Do të thotë 11 muaj në total unë kam qenë në zyrën e ministrit të Shëndetësisë, natyrisht me përgjegjësinë mbi supe dhe i vetëdijshëm për problemet që na presin”, ka thënë Vitia.

I pari i Shëndetësisë nuk ka komentuar arsyen e dorëheqjes së ish-ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së ShSKUK-së, Pranvera Raçi, derisa ka treguar se kur pritet të hapet konkursi për drejtor të ri.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se ka…