Vitia: Edhe tre pacientë të tjerë janë në gjendje kritike, qëndroni në shtëpi

08 prill 2020 | 23:23

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka shprehur ngushëllime familjes së pacientes nga Malisheva, e cila vdiq të mërkurën si pasojë e koronavirusit.

Vitia përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar mjekët e infermierët, laborantët e epidemiologët janë duke bërë gjithçka që ka kapacitet qenia njerëzore për të shpëtuar jetë.

Ai ka bërë me dije se edhe tre pacientë të tjerë janë në gjendje kritike e në rrezik të lartë.

Ministri Vitia u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të jashtëzakonshëm kur dalin dhe kur kthehen në shtëpi.

“Le të mos luajmë me rrezikun e cenimit të shëndetit personal e kolektiv. Mbrojtja e jetës është detyrë mbi detyrat. Nuk na falet që me shkujdesje ta cenojmë”, ka shkruar Vitia.

Postimi i plotë i tij:

Shumë të dashur bashkëqytetarë të vendit tonë
Të nderuara gra e vajza, djem e burra të Republikës sonë
Sonte në betejë me virusin corona e humbëm dhe një paciente, grua, nënë, motër, qytetare e jona.
Ngushëllime familjes dhe të afërmeve të tyre me pikëllim.
Mjekët e infermierët, laborantët e epidemiologët janë duke bërë gjithçka që ka kapacitet qenia njerëzore për të shpëtuar jetë.
Por edhe tre pacientë të tjerë janë në gjendje kritike e në rrezik të lartë.
Çdonjëri prej jush ka shumë detyrime në jetë. Prej atyre që nuk e ndalin dot punën e deri tek ata/ato që furnizojnë dhe i shërbejnë familjes. Ju mirëkuptojmë pa dyshim por ju thërrasim për kujdes të JASHTËZAKONSHËM kur dilni dhe kur ktheheni në shtëpi.
Ju lutem!
ZERO mirëkuptim për këdo që këto ditë të vështira, po del nëpër qytet a fshat pa arsye madhore, për ata që po i vijojnë vizitat si mysafirë tek te afërmit, apo ata të cilët praktikisht po e lenë në bast jetën e tyre dhe të familjes së tyre.
Le të mos luajmë me rrezikun e cenimit të shëndetit personal e kolektiv. Mbrojtja e jetës është detyrë mbi detyrat. Nuk na falet që me shkujdesje ta cenojmë.
QËNDRONI NË SHTËPI
QËNDRONI NË SHTËPI
QËNDRONI NË SHTËPI
RUANI DISTANCAT
MBANI HIGJENËN
MENDOHUNI SHUMË PARA SE TË MERRNI VENDIMIN PËR TË DALË NGA SHTËPIA DHE MOS THIRRNI MYSAFIRË NË SHTËPI.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Babai i Boris Johnson sot e ka quajtur djalin e…