Vitia i shkon Kurtit në takimin me krerët e qendrave të LV-së

23 shkurt 2022 | 08:24

Gjatë kohës sa kishte qenë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, Arben Vitia pothuajse çdo ditë kishte qenë i pranishëm në media, për shkak të situatës me pandeminë. Vitia dilte shpesh në konferenca, herë për të folur për vendosje e ndryshim të masave anti-Covid e herë për procesin e sigurimit të vaksinave e vaksinimit. Por, pas humbjes në balotazhin e 14 nëntorit për kryetar të Prishtinës, Vitia s’është parë më. Ai është bërë i gjallë tek dje, pas rreth 4 muajsh, në një aktivitet të partisë, ku Kurti kishte mbledhur për diskutim kryetarët e qendrave.

Mbrëmjen e 14 nëntorit të vitit të kaluar ishte hera e fundit kur Arben Vitia u pa në paraqitje publike. Atë natë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës doli në konferencë për t’ia uruar fitoren kundërkandidatit të tij nga LDK-ja, Përparim Rama.

Që nga ajo natë prej Vitisë nuk u dëgjua asgjë më.

Ai s’u bë i gjallë as në rrjete sociale e as në ndonjë paraqitje mediale.

Megjithatë, Vitia dje ka marrë pjesë në takimin e thirrur nga kreu i LV-së, Albin Kurti, me kryetarët e qendrave të partisë, pasi iu besua përsëri qendra e LV-së në kryeqytet.

Në fotografitë e publikuara në faqen zyrtare të partisë, Vitia shihet bashkë me koordinatorët e tjerë të qendrave të LV-së.

Në këtë mbledhje ka qenë i pranishëm kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sekretarja organizative, Vlora Haxhimehmedi, dhe koordinatori për qendra, Valon Hoti.

Sipas njoftimit, në këtë mbledhje u diskutua për zgjedhjet e brendshme që do t’i mbajë Lëvizja Vetëvendosje.

Njoftimi i plotë i LV-së:

Mbledhja e parë me koordinatorët e rinj të qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Pas vendimit në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm për fillimin e zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryesia e Lëvizjes, së bashku me qendrat, ka emëruar koordinatorët e rinj më të cilët sot u mbajt mbledhja e parë. Në mbledhje morën pjesë Kryeministri, njëherazi, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, Sekretarja Organizative, Vlora Haxhimehmedit, dhe Koordinatori për Qendra, Valon Hoti. Në hapje të mbledhjes, Kryetari Albin Kurti uroi koordinatorët e rinj për detyrën e marrë, duke theksuar rëndësinë që ata kanë në udhëheqjen e procesit të brendshëm zgjedhor në këtë fazë të re ku organizata ka një mbështetje kaq të madhe popullore. Viti 2022 nuk do të jetë vit i zgjedhjeve parlamentare e lokale, por vit i zgjedhjeve brenda Lëvizjes sonë, tha Kurti. Në fund të fjalës, Kryetari Kurti njoftoi mbi punët dhe të arriturat e qeverisë me theks të veçantë ndryshimin për të mirë të të gjithë parametrave ekonomik, luftën ndaj krimit e korrupsionit dhe procesin e suksesshëm të vaksinimit ku prej zero vaksinave në fillim të mandatit sot pas njëmbëdhjetë muajsh jemi liderë në rajon. Në pjesën e dytë të mbledhjes u diskutuan detyrat kryesore të Koordinatorit dhe të Grupit Punues, ku Koordinatorët e rinj do të jenë bartës të këtij procesi të brendshëm zgjedhor. U diskutua po ashtu itinerari i mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme sipas dinamikës së përcaktuar nga vendimi i fundit të Këshillit të Përgjithshëm. Krahas procedurave të parapara me statutin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, këto zgjedhje, për dallim nga zgjedhjet e tjera të mbajtura përbrenda VV-së, do të sjellin në jetë edhe dy organe tashmë statutore, atë të Gruas për VETËVENDOSJE! dhe Rinisë për VETËVENDOSJE!. Lëvizja VETËVENDOSJE!, duke i uruar punë të mbarë koordinatorëve dhe grupeve punuese nëpër secilën qendër, fton anëtarësinë dhe qytetarët të angazhohen gjatë këtij procesi të brendshëm zgjedhor në mënyrë që mbështetjes së madhe për subjektin tonë t’ia shtojnë edhe angazhimin përbrenda organeve të saj. Lëvizja jonë, Lëvizja e qytetarëve të Republikës do të mbetet përherë infrastrukturë e popullit përmes së cilës do të çojmë përpara ndryshimet e nevojshme për vendin, ato për të cilat angazhohemi pareshtur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri i rasteve të reja me Covid-19 u ul mesatarisht…