Vitia: Në qershor hapet konkursi për 80 specialistë dhe rreth 200 infermierë
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se investimet në QKUK dhe spitale të përgjithshme po kryhen me intensitet të shtuar dhe se investimet po bëhen edhe në shërbime të reja.
Ministri Vitia ka thënë se deri në muajin qershor do të hapet konkursi për punësimin e mbi 300 profesionistëve shëndetësorë. Në mesin e tyre, do të jenë 80 specialistë dhe rreth 200 infermierë.
“Investimet në infrastrukturë në QKUK dhe spitalet e përgjithshme po vazhdojnë me një intensitet të shtuar për t’i bërë ambientet më miqësore dhe praktike për pacient. Po investohet edhe në infrastrukturë, janë hapur shumë shërbime të reja. Edhe shërbime që deri tani nuk janë bërë. Vetëm në Gjinekologji pritet që të mundësohen tri shërbime të reja. Shërbimet që janë marr në sektorin privat dhe jashtë shteti, tani do të merren edhe në sektorin publikë. Në bashkëpunim me menaxhmentin e ShSKUK-së në muajin qershor do të hapet konkursi edhe për rreth 330 profesionistë shëndetësor. Do të punësohen rreth 80 specialistë, diku rreth 200 infermierë që do të ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve”, ka thënë Vitia në një konferencë për medie.