Vitia ngushëllon familjet nga Prishtina dhe Korisha e Prizrenit
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arbën Vitia, ka ngushëlluar familjet nga Prishtina dhe Korisha e Prizrenit për humbjen e familjarëve të tyre si pasojë e koronavirusit.
“Ngushëllimet për familjet dhe për miqtë e të ndjerëve, i bëjmë bashkë me porositë për të bërë shumë, gjithnjë e më shumë kujdes”, ka shkruar Vitia në llogarinë e vet në “Facebook”.
Më tutje, Vitia ka kërkuar nga qytetarët që t’i respektojnë rekomandimet e institucioneve në raport me Covid-19.
Postimi i plotë i Vitisë:
Të dashura qytetare dhe qytetarë,
Siç jeni të njoftuar sot në betejën kundër COVID-19, humbën jetën dy bashkëqytetarë tanë.
Ngushëllimet për familjet dhe për miqtë e të ndjerëve, i bëjmë bashkë me porositë për të bërë shumë, gjithnjë e më shumë kujdes.
Për veten, për familjarët, për të afërmit tuaj.
Ju lutemi që të ndihmoni si asnjëherë tjetër me solidaritet të lartë dhe me vetdisiplinë të pashembullt.
Ju e dini që nuk duhet të dilni vetëm nëse e keni të domosdoshme. Kur dilni të mbani distancën dhe t’i keni mjetet mbrojtëse dhe të zbatoni rregullat e higjienës.
Rregullat e zbatuara shpëtojnë jetë. Mbajeni në mend që secila e secili ka mision të mbrojë jetën dhe shëndetin publik.
Jemi bashkë në vështirësi dhe hidhërime!