Vitia nuk e përjashton mundësinë e vendosjes së masave të reja
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia vlerëson se situata me pandeminë e Covid-19 në Kosovë është shqetësuese dhe nuk përjashton që autoritetet të ndërmarrin masa shtesë.
Këto komente ai i bëri gjatë një takimi që zhvilloi sot me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.
Vitia dhe Kosnett, sipas një njoftimi të MSh-së, thuhet se kanë vlerësuar se për shkak të situatës shqetësuese, kërkohet respektimi i masave që janë në fuqi.
Ata kanë shtuar se pandemia ka përkeqësuar situatën në rrafshin shëndetësor, por edhe në atë ekonomik dhe social.
“Në këtë takim, ministri Vitia dhe ambasadori Kosnett kanë diskutuar për situatën rreth Covid-19 në Kosovë, për të cilën është vlerësuar se është shqetësuese dhe kërkohet respektim i masave në fuqi, pa e përjashtuar edhe plotësimin e këtyre masave me të tjera, duke u bazuar në ecurinë e situatës epidemiologjike në vend”, thuhet në njoftimin e MSh-së.