Vitia: Objektivi ynë mbetet vaksinimi deri në 60 për qind i qytetarëve

16 qershor 2021 | 11:15

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media mbajtur të martën, ka thënë se ministria që drejton, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor dhe partnerët e tjerë, i ka bërë përgatitjet për fillimin dhe realizimin e planit të veprimit për vaksinimin e qytetarëve në masë me vaksinën kundër Covid-19.

“Nga sot po hyjmë në një fazë të re të procesit të vaksinimit kundër Covid-19. Sikurse jemi zotuar para juve, sot, më 15 qershor, po fillon ky proces i vaksinimit. Ky moment shënon një kapërcim në luftën tonë kundër Covidit, sepse vaksinimi në masë është proces jetik për sigurimin e imunitetit kolektiv të popullatës sonë dhe për krijimin e kushteve për kthimin në një realitet të ri”, ka thënë Vitia. Ai ka theksuar se vaksinimi masiv është proces që kërkon përgatitje, mobilizim dhe, mbi të, gjitha profesionalizim dhe vullnet për të kontribuar. “Kjo do të jetë një ndërmarrje institucionale dhe organizative e paprovuar ndonjëherë në vendin tonë. Ne kemi bërë përgatitjen për zbatimin e saj dhe jemi të gatshëm për ta përmirësuar atë përgjatë rrugës përballë çdo sfide”, është shprehur ai, shkruan “Epoka e re”.

Ministri Vitia ka thënë se me qëllim të mbarëvajtjes së procesit, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me komunat, ka krijuar hapësira të reja për vaksinim; ka shtuar kapacitetet njerëzore duke organizuar 279 ekipe të vaksinimit në nivel vendi (nga 89 sa ishin deri tani); ka ngritur infrastrukturën e nevojshme.

“Ka siguruar vaksina të mjaftueshme; ka zhvilluar modulin e vaksinimit; dhe riorganizuar edhe aspektet logjistike, me qëllim që vaksinimi në masë të fillojë dhe qytetarët të vaksinohen sipas kategorive të përcaktuara në planin shtetëror të vaksinimit kundër Covid-19 dhe kategorive të përcaktuara në tri fazat e këtij plani. “Falënderojmë edhe inspektorët, forcat tona policore dhe ushtarët tanë të cilët po ndihmojnë vazhdimisht në këtë proces. Ky për momentin është procesi më i rëndësishëm në vendin tonë, marrë parasysh se shumë sfera të jetës sonë të përditshme varen nga suksesi i këtij procesi. Sot kemi kaluar shifrën prej 100 000 të vaksinuarve. Objektivi ynë mbetet vaksinimi i deri në 60 për qind të qytetarëve. Me pjesëmarrjen, bashkëpunimin dhe punën e të gjithëve, ne do ta arrijmë këtë”, është shprehur ministri Vitia, duke theksuar se aktualisht janë duke u vaksinuar kategoria e personave mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje kronike, pa dallim moshe.

“Me zgjerimin e procesit do të vaksinohen edhe mësimdhënësit, forcat e sigurisë të ndërlidhura drejtpërdrejt me menaxhimin e Covid-19. Për ta vazhduar pastaj fazën e tretë me grupmoshat nën 65 vjeç, punëtorët e sektorit publik dhe kategoritë e tjera të popullatës. Me një fjalë, të gjithë ata që duhet vaksinuar dhe imunizuar”, ka deklaruar Vitia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka marrë veprimet e…