Vitia për vdekjen e 4-vjeçares: Raportet tregojnë se s’ka të bëjë me neglizhencë
Vdekja e katërvjeçares nga Gjakova, ishte temë diskutimi ndërmjet Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale me krerët e shëndetësisë.
Në këtë mbledhje janë kërkuar sqarime nëse mjekët e kanë neglizhuar këtë rast.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se shkaktar i gjendjes së pacientes ka qenë i infektuar me një infeksion të rëndë dhe se nuk ka pasur shenja të dhunës.
Vitia para anëtarëve të komisionit ka thënë se sipas raporteve nga Spitali i Gjakovës dhe QKUK dhe ekzaminimeve që janë bërë, nuk bëhet fjalë për shenja dhune tek vajza e cila ka ndërruar jetë, ashtu siç kanë pretenduar prindërit e saj.
Ai ka thënë se pacientja është diagnostikuar me “sepsë”. Çdo pretendim që çdo veprim ndryshe, ka mund të kishte një epilog tjetër, sipas tij për momentin është vetëm spekulim.
“Inspektorati ka nisur hetimet se ku është kontrolluar pacientja, kam vizituar edhe familjen me raport të spitalit të Gjakovës. Gjatë kontrollit nuk janë shfaqur shenja dhune, pacientja është transferuar në QKUK më 17 shkurt. Mjeku i shtatë gjatë kontrollit e ka transferuar në QKUK, janë bërë ekzaminime që janë kryer më shumë se njëherë. Pas të gjitha ekzaminimeve nuk ka pasur shenja dhune, përveç përkeqësimit është referuar për në pediatri, për shkak të gjendjes është intubuar dhe pacientja ka qëndruar në këtë spital për 4 orë. Pastaj është dërguar në QKUK janë bërë analiza CT e kokës, qafës, abdomenit dhe pelvikut. Pastaj pacientja është vendos në intensiv, ku janë përcjellë parametrat vital, për dy ditë pacientja ka qenë në mjekim intensiv përkundër të gjitha përpjekjeve pacientja ndërron jetë”.
“Është diagnostikuar me ‘sepsë’, lloj infeksioni i rëndë i gjakut dhe vazhdon të jetë një nga shkaqet infektive për vdekjen e fëmijëve. Nuk ka pasur shenja që ia kanë rënduar gjendjen pacientes. Shkaktari ka qenë bakteria meningjiti që në raste të rralla shkakton vdekjen. Kjo është sfidë edhe për mjekësinë. Përkundër angazhimet nuk bëhet fjalë për neglizhencë. Bëj thirrje që sa me shpejt të hetohet rasti, presim raportin e inspektoratit, do të merren masat konform ligjit”, ka thën` Vitia, raporton “EO”.Ndërsa drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, ka shpjeguar kronologjiksht ngjarjen se si ka ndodhur, duke thënë se pacientja 4-vjeçare nuk ka pasur shenja dhune. Ai ka thënë se gjendja e pacientes ka qenë e rëndë kur është transferuar në QKUK.
Sipas tij, pacientja ka marrë trajtimin e nevojshëm në spitale rajonale si dhe në QKUK.
Në këtë komision i ftuar ka qenë edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, por nuk ka qenë prezent.