Vitia për vdekjen e 4-vjeçares: Të merren masa ndaj përgjegjësve shëndetësorë
Ministri i Shëndetësisë, Arbën Vitia, ka reaguar lidhur me rastin e vdekjes së 4-vjeçares nga Gjakova, në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Vitia ka thënë se është informuar për përvojën që kanë pasur prindërit e 4-vjeçares nga deklarimet e tyre publike dhe sipas tij, cilido që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa, pa vonesë.
Në këtë kontekst, ai u ka bërë thirrje organeve të hetimit që sa më parë ta hetojnë çdo detaj lidhur me rastin në fjalë.
“Humbja e jetës së vajzës 4-vjeçare nga Gjakova na ka prekur të gjithëve. Jemi informuar për përvojën që kanë pasur prindërit nga deklarimet e tyre publike. Për cilindo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa, pa vonesë. I bëj thirrje organeve të hetimit që sa më parë rasti të hetohet në çdo detaj. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve!”, ka shkruar Vitia në “Facebook”.
Ndryshe në njoftimin e ShSKUK-së është thënë se 4-vjeçares i janë bërë të gjitha analizat laboratorike dhe ato dignostike, e më pas është vendosur në Repartin Intensiv me diagnozë të punës sepsë.