Vitia për vdekjen e gruas shtatzënë: Komplikimet nga Covid-19 ia prenë jetën dhe ëndrrën në mes
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se lajmi për vdekjen e gruas shtatzënë nga Gjakova , bashkë me foshnjën e saj që ishte e infektuar me Covid-19 ishte shumë i rëndë.
“Nuk ka fjalë ajo çfarë ndjejmë ne dhe gjithë stafi mjekësor që e asistoi gjatë tërë këtyre ditëve të vështira”, ka shkruar Vitia në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Vitisë:
Sot morëm njoftimin e rëndë për humbjen e jetës së bashkëqytetares sonë. Ajo priste të bëhej nënë. Komplikimet nga Covid-19 ia prenë jetën dhe ëndrrën në mes.
Marrim pjesë në këtë dhimbje të dyfishtë të familjes e miqve!
Nuk ka fjalë ajo çfarë ndjejmë ne dhe gjithë stafi mjekësor që e asistoi gjatë tërë këtyre ditëve të vështira.
Të nderuar qytetarë, na duhet forcë e disiplinë për të shmangur dhembje të tjera.
Të mbrojmë veten dhe të dashurit tanë. Jeta ka vlerë sepse ajo e bën të mundur çdo shpresë e çdo projekt.
Kurrë nuk është mjaft kujdesi. Le të mos shpërqendrohemi nga mbrojtja në këtë betejë që hera – herës i kapërcen mundësitë tona të deritanishme.
Të zbatojmë rregullat, të mbrojmë e shpëtojmë jetë. Duhet të besojmë realisht që kjo fazë është e përkohshme dhe nuk duhet të rrezikojmë një jetë të tërë nga pakujdesitë në këto pak javë.