Vitia: Përmirësimi i shërbimeve mjekësore, synim i vazhdueshëm i MSh-së
Ministria e Shëndetësisë ka për synim të vazhdueshëm përmirësimin e qasjes dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e saj.
Kështu është thënë në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë (MSh) me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh) për shënimin e Ditës Botërore të Shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia është shprehur se synim i kësaj ministrie është ruajtja dhe përparimi i shëndetit duke promovuar jetesën e shëndetshme.
Duke folur për investimet në shërbimet mjekësore, Vitia ka thënë se mbetet shqetësues fakti se për shkak të gjendjes sociale, një pjesë e qytetarëve nuk kanë qasje në shërbimet shëndetësore.
“Në Kosovë synim i vazhdueshëm i MSh-së mbetet përmirësimi i qasjes dhe përballueshmërisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësor, përkatësisht mbulimi shëndetësor universal me shërbime shëndetësore. Synim po aq i rëndësishëm i MSh-së bazuar në strukturën demografike të popullatës në radhë të parë është ruajtja dhe përparimi i shëndetit duke promovuar jetesën e shëndetshme. Në vazhdimësinë e përpjekjeve për të ngritur sasinë dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore në të gjitha nivelet e shërbimit, qeveria ka rritur buxhetin këtë vit për sektorin publik shëndetësor dhe atë për barna, investime kapitale dhe burime njerëzore. Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për të trajtuar pabarazitë dhe shkaqet themelore të tyre, jemi në proces dhe do të vazhdojmë rritjen e investimeve në Kujdesin Parësor Shëndetësor në mënyrë që qytetarët të kenë sa më shumë qasje dhe sa më shumë shërbime”, ka thënë Vitia, raporton “Ksp”.
Ndërsa kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenien Sociale, Fatmire Mulhaxha- Kollçaku, ka theksuar si nevojë riorganizimin për shërbimet shëndetësore.
Në anën tjetër, drejtori i Institutit të Kosovës për Shëndetin Publik, Naser Ramadani, ka thënë se qëllimi i shënimit të kësaj dite është vetëdijesimi për veprimet urgjente për një planet të shëndetshëm.
Ramadani është shprehur se në Kosovë programi i zgjeruar i imunizimit ka prioritet të lartë dhe i bazuar në të gjitha rekomandimet e OBSh-së.
Më tutje, shefi i Zyrës së OBSh-së në Prishtinë, Oleksandr Martynenko është shprehur se secili qytetar duhet të ketë mundësi të barabartë për të qenë i shëndetshëm, të trajtohet kur të ketë nevojë dhe po ashtu për të parandaluar sëmundjet.
Krahas shënimit të Ditës Botërore të Shëndetit, sot më 7 prill përkon edhe 75-vjetori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh).