Vitia: Pesë persona janë në gjendje të rëndë me koronavirus, shmangni vizitat familjare

29 mars 2020 | 17:10

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë një paraqitje për media ka bërë me dije se 36 persona janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive ku pesë prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Ministri Vitia ka bërë thirrje për respektim të rekomandimeve të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike në Kosovë.

“Tash kur po hyjmë në një fazë të re të epidemisë kemi nevojë më shumë se kurrë për më shumë kujdes dhe t’u përmbahemi rekomandimeve. Është iniciuar kërkesa edhe për 10 mijë teste reja, IKSHPK-ja po vazhdon 24 orë të bëjë testime, po ashtu po vazhdojnë të vijnë donacione nga jashtë dhe individë brenda Kosovës”, është shprehur ai.

Vitia ka thënë se në këtë kohë duhet të shmangen vizitat familjare.

“Vazhdojmë të bëjmë thirrjen për bashkëpunimin tuaj në këtë kohë, për respektimin e masave të sipërpërmendura si dhe shmangni vizitat familjare”, ka thënë ai.

Ministri Vitia ka folur edhe rreth ndryshimit të vendimit për kufizimin e lëvizjes.

“Qeveria e Kosovës ditë më parë ka ndërmarrë masën e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve. Kërkojmë që koha e lejuar për qarkullim të mos kuptohet në asnjë mënyrë si një hapësirë për t’u grumbulluar por të respektojmë pikën që lëvizjet në rrugë të mos bëhen më shumë se 2 persona e gjithmonë duke mbajtur distancën në 2 metra”, ka thënë ai.

Ministri Vitia ka thënë se kjo situatë do të kalojë shpejtë. “Ju lutem për durim dhe ju lutem që të kujdesuni për vetën. Ne duhet t’u qëndrojmë afër personelit duke qëndruar në shtëpi. Ndihma që ata kërkojnë është të qëndrojmë në shtëpi, prandaj ndiqni rekomandimet nga IKSHPK-ja dhe MSH-ja”, ka thënë ministri Vitia.

.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) nëpërmjet një komunikate…