Vitia: ‘Pharma Leader’ dyshohet se falsifikoi dokumentet në tenderin për insulina
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë të jashtëzakonshme për medie ka akuzuar për falsifikim të dokumenteve “Pharma Leader”, kompaninë private e cila është ofertuese në tenderin për insulina.
Ai ka thënë se provat që i ka siguruar Ministria e Shëndetësisë, i ka dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit, raporton “Ekonomia Online”.
“E kemi ftuar këtë konferencë të jashtëzakonshme me shkas. Jemi sot këtu që ta shprehim shqetësimin tonë lidhur me dyshimet për veprën penale falsifikim të dokumenteve në tender nga operatori ekonomike ‘Pharma Leader’. Dje, më datë 12.06.2023 jemi njoftuar zyrtarisht se kompania në fjalë nuk ka pasur asnjë leje për të importuar insulina në Republikën e Kosovës. As nga prodhuesi amerikan, e as nga kompania në Maqedoni të cilën pretendon”, ka thënë Vitia.
Kompania ‘Pharma Leader” është një nga ofertuesit në tenderin për insulina, i cili po zvarritet nga Ministria e Shëndetësisë tash e dy vjet.