Vitia publikon masat e reja që do të votohen nesër nga qeveria
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar për masa të reja kundër Covid-19, në Kosovë.
Vitia në një konferencë për media ka thënë se në koordinimin me ministritë e linjës dhe me institucionet përkatëse shëndetësore kanë vendosur për masa të reja në vend nga e hëna e javës së ardhshme.
“Nga rekomandimet e dy javëve paraprake kemi pasur shumë takime dhe diskutime për masat e reja që do të hyjnë në fuqi nga data 27 shtator, pra nga e hëna e ardhshme. Sot kemi marrë edhe rekomandimet e fundit nga IKShPK-ja, për këto masa”, ka thënë Vitia.
Ndër të tjera, Vitia ka deklaruar se tashmë në të gjitha institucionet publike dhe private që punojnë me palë, do të kërkohet certifikata e vaksinimit apo testet përkatëse që dëshmojnë që punonjësi nuk është i infektuar me Covid-19.
“Ashtu siç kemi paralajmëruar tani nga institucionet shtetërore dhe një mori e institucioneve private do të kërkohet që të paraqesin certifikatën e vaksinimit, apo testeve përkatëse para hyrjes në objektet ku operojnë. Kjo vlen për aktivitete si qendra tregtare, ‘call center’, gastronomia në ambientet e brendshme dhe të gjithë punonjësit në institucionet publik dhe privat që punojnë me palë”, ka thënë ai.
Më tutje, ministri Vitia ka njoftuar se do të hapen edhe shkollat dhe çerdhet.
“Shkollat dhe çerdhet do të fillojnë punën nga dita e hënë. Maksimumi i nxënësve të ledhuar në klasë do të jetë 20”, ka thënë Vitia, duke shtuar se këto masa do të votohen nesër (e premte) në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.