Vitia shpall qytetar nderi Nishanin dhe Jahjagën

14 qershor 2019 | 14:53

Me rastin e 20- vjetorit të çlirimit të komunës së Vitisë ky qytet ka shpallur qytetar nderi ish- presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishanin dhe ish- presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Skënder Haliti, ka thënë se 20 vite më parë Vitia ka marrë frymë lirshëm fal kontributin të UÇK-së dhe ndihmës e aleatëve ndërkombëtarë.

Sipas tij mirënjohja më e mirë për lirinë ndaj gjithë atyre që kontribuuan është puna e mirë për ndërtim të vendit dhe të një shoqërie demokratike.

Ndërsa, ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka thënë së është tejet i nderuar që është shpallur qytetar nderi i komunës së Vitisë. Ai ka thënë se është edhe më i nderuar meqë këtë titull e ka pranuar bashkë me ish-presidenten Jahjaga.

“Duke me ftuar dhe duke me nderuar së bashku me presidenten Atifete Jahjaga ma shtoni edhe më shumë këtë nder dhe privilegj, pasi me bashkoni edhe mua që të nderoj bashkë me ju një personalitet si zonja Jahjaga, zëri, kontributi përparimtar që bëri dhe civilizues i saj i ka bërë nder të madh Kosovës”, ka thënë Nishani, duke uruar Kosovën për 20-vjetorin e çlirimit.

“20-vjetorin e rezistencës popullore mbi barbarinë e hekurit dhe të zjarrit, 20-vjetorin e përballjes së Ushtrisë Çlirimtare me nazizmin e kohërave moderne të Ballkanit, 20-vjetorin e martirizimit të bijve dhe bijave të Kosovë, bijve më të mirë të saj që ndërtuan themelet e këtij vendi për mijëvjeçarët e ardhshëm”, është shprehur Nishani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian (BE) ka theksuar se ka mbledhur dëshmi për…