Vitia shpreh shqetësimin se Kosova nuk është në listën e udhëtimeve ‘Free Covid’ të BE-së

18 qershor 2021 | 14:43

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pritur të premten në takim udhëheqësin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, të cilin e ka njoftuar për situatën epidemiologjike në vendin tonë, procesin e vaksinimit masiv, dhe po ashtu e ka informuar rreth përgatitjeve sipas planit shtetëror të vaksinimit.

Me theks të veçantë ministri Vitia ka përmendur indikatorët kryesorë të gjendjes epidemiologjike si tregues kryesor të cilët janë: Rënia e dukshme e rasteve të vdekjes dhe e hospitalizimeve, numrin e ulët të rasteve, shkallën e ulët të pozitivitetit nën 1 për qind dhe indikatorë të tjerë që e tregojnë situatën epidemiologjike si shumë të mirë dhe stabile për momentin.

Gjithashtu ministri Vitia ka shprehur shqetësimin se përkundër kësaj, Republika e Kosovës nuk është në listën e udhëtimeve “Free Covid” të BE-së, pavarësisht situatës shumë të mirë epidemiologjike.

Ai ka theksuar se trajtimi do të duhej të jetë i barabartë për të gjitha shtetet e rajonit sidomos kur janë indikatorë të matshëm dhe të cilat Republika e Kosovës i ka përmbushur.

Ndërkaq Tomas Szunyog u shpreh i lumtur për përmirësimin e situatës epidemiologjike dhe së bashku me ministrin Vitia u dakorduan për të vazhduar tutje bashkëpunimin mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës në përmirësimin dhe përforcimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Yllit televiziv, Kim Kardashian, i është dhënë një urdhër mbrojtje…