Vitia: S’jemi duke e zbuluar ujin e nxehtë, po marrim rekomandimet e ekspertëve
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ka bërë shumë herë kërkesë për bashkëpunim me çdo deputetë për luftën me pandeminë, dhe se kjo do të vlejë çdo herë.
Vitia në seancën e Kuvendit iu ka shprehur ngushëllime familjarëve të cilët kanë humbur personat më të dashur si pasojë e Covid-19.
“Procesi i vaksinimit është duke shkuar jashtëzakonisht mirë, kemi filluar të fundit për arsyet që i dimë por procesi në Kosovë ka tejkaluar të gjitha vendet e rajonit sa i përket numrit të dozave të administruara. Dera është e hapur në Ministrinë e Shëndetësisë, sepse kjo është një luftë e përbashkët, sidomos me variantin ‘Delta’, lloji i virusit tjetër me agresivitet të shpërndarjes. Një numër i deputetëve jo që s’kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë por janë munduar të dëmtojnë procesin e vaksinimit. Kosova po e kalon variantin ‘Delta’ më shpejt se sa dy muaj”, ka thënë Vitia, duke shtuar janë duke i marrë parasysh rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë.
Akoma dy muaj nuk janë bërë edhe ne jemi në përfundim. India për mbi 4 muaj, Anglia 4 muaj dhe po vazhdon akoma, ShBA tre muaj dhe po vazhdon akoma, Mali i zi 2 muaj. Qeveria Kurti e ka dëshmuar veten të aftë për të vënë në kontroll të tri variantet deri tani. Qeveria paraprake nuk është treguar e aftë në këtë menaxhim. Për shkak të masave të tyre jo efikase, s’jemi duke e zbuluar ujin e nxehtë këtu, jemi duke marrë rekomandime të ekspertëve”, është shprehur Vitia.