Vitia takohet me Osmanin, merr mbështetje për luftimin e koronavirusit
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, bashkë me zëvendësministrat Sreten Trajkoviq dhe Izet Sadikun, kanë pritur në takim kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe nënkryetaren Arbërie Nagavci.
Në këtë takim është diskutuar për rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional për menaxhimin e situatës me Covid-19.
Kryeparlamentarja Osmani ka falënderuar ministrin Vitia dhe të gjitha institucionet e përfshira në parandalimin e përhapjes së pandemisë.
Sipas saj, masat e ndërmarra në kohë kanë ndikuar që sot në Kosovë të kemi një situatë më të mirë krahasuar me shtetet e rajonit.
Osmani ka thënë se Kuvendi i Kosovës mbetet i përkushtuar që të bashkëpunojë ngushtë përballë këtij “armiku të padukshëm” i cili nuk njeh as ndarje politike dhe as etnike.
Ndërsa Vitia ka falënderuar Osmanin dhe Nagavcin për gatishmërinë e treguar, si dhe i ka njodtuar ato për së afërmi me Planin e veprimit përmes së cilit do të operojnë institucionet e vendit.
Në këtë takim është ripërsëritur qëndrimi, se respektimi i masave parandaluese nga qytetarët është jetik në parandalimin e përhapjes së pandemisë.
Ndër të tjera është diskutuar edhe për harmonizimin e veprimeve në raport me adresimin e çështjeve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.