Vitia takon punëtorët e higjienës në QKUK, i njofton për rritjen e pagave
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka takuar punëtorët e higjienës në QKUK, e cila aktualisht ka 319 punëtorë që kujdesen për mirëmbajtjen e higjienës brenda këtij institucioni.
Ai ka thënë se për shumë vite ka dëgjuar prej tyre nevojat e vështirësitë, por të mërkurën pati mundësinë që t’i njoftojë se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave kanë rritur uxhetin në mënyrë që edhe pagat e tyre të rriten.
“Rritja është mbi 30% e pagës aktuale. Pagat duhet të jenë të dinjitetshme aq më shumë për ata që kryejnë shërbime kaq të vyeshme për shëndetin publik. Punëtorët që kujdesen për higjienën në QKUK janë në frontin e parë të përpjekjes për ta transformuar nivelin e higjienës në klinika. QKUK ka aktualisht 319 punëtorë që kujdesen për mirëmbajtjen e higjienës brenda QKUK-së. Kështu, bashkë me ta folëm sot se si ne do të adresojmë kërkesat e tyre e së bashku të ecim para me planet që QKUK të jetë në tjetër nivel të shërbimeve mbështetëse”, ka thënë Vitia.
Ai ka bërë me dije se bashkë me drejtorin e SHSKUK-së, Elvir Azizi, diskutuan me punëtorët e higjienës edhe për punët që i presin dhe investimet e mbështetjen që do ta japë Ministria e Shëndetësisë.