Vitia: Të gjithë invalidët e UÇK-së do të kompensohen për proteza të reja
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka deklaruar se janë paguar 15 milionë euro borxh të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore gjatë vitit 2023.
Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Buxhet dhe Financa, Vitia tha se Fondi vitin e kaluar në total ka shpenzuar mbi 22 milionë euro.
Vitia foli edhe për shërbimin e veteranëve me proteza të reja, duke thënë se do të bëhet kompensimi i tyre me proteza të reja.
“Sa i përket invalidëve shumica kërkesave janë bërë në nëntor dhjetor 2023, përveç dy, tri kërkesave që janë nga muaji gusht i vitit të kaluar dhe kur kemi parë që janë analizuar të gjitha rrugët dhe e gjithë qeveria, jo vetëm ministria ka pasur ndjeshmërinë maksimale të gjendet njëherë e mirë që të institucionalizohet i gjithë ky proces e të shkojë përmes fondit të sigurimeve shëndetësore. Nga vendimi që kemi marrë para pak ditësh në Qeverinë Republikës së Kosovës dhe të gjitha këto kërkesa janë miratuar dhe të gjithë invalidët e UÇK-së do të kompensohen për mirëmbajtjen për proteza të reja”, ka thënë Vitia, raporton Ekonomia Online.