
Vitia tregon orarin e ri të lëvizjes për komunat në karantinë
Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë së qeverisë në detyrë, Arben Vitia, ka treguar orarin e ri për lëvizje brenda komunave në karantinë. Vendim i cili hyn në fuqi nga nesër (10.04.2020).Bëhet fjalë për Komunën veriore të Mitrovicës, Komunën e Malishevës dhe atë të Zveçanit.
Vitia thotë se ky vendim u mor në koordinim paraprak me komunat si masë parandaluese e përhapjes së koronavirusit.“Të nderuar qytetarë, sipas situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, në koordinim paraprak me Komunat, për të frenuar përhapjen më tej të COVID-19, nga nesër, 10 prill 2020, në komunat tashmë në karantinë, orari për lëvizjet brenda komunës, për nevojat bazike të qytetarëve do të jetë si në vijim:Komuna e Malishevës 14:00-06:00; Komuna veriore e Mitrovicës 12:00-06:00; Komuna e Zveçanit 12:00 -06:00;”, njofton Vitia.
Tutje, Vitia premtoi edhe masa shtesë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.“Gjithashtu, në ditët në vijim, varësisht nga situata epidemiologjike në komunat e tjera dhe në koordinim me to, do të vendosen masa shtesë në mënyrë që të parandalojmë shpërndarjen e COVID-19” shkruan Vitia.Krejt në fund, Vitia luti qytetarët që t’i respektojnë masat që po merren në mbrojtje të jetës së tyre.“I lusim qytetarët të zbatojnë dhe bashkëpunojnë me komunat e tyre, autoritetet e sigurisë, institucionet e tjera qendrore dhe të respektojnë masat që po merren në mbrojtje të jetës së tyre. Jemi bashkë, do të jemi fitues nëse me vendosmëri do t’i respektojmë rregullat!”, përfundoi Vitia.