Vitia: Vala e re e pandemisë në vjeshtë është e pashmangshme

08 korrik 2021 | 12:20

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka ftuar qytetarët që të vaksinohen kundër koronvirusit, pasi siç ka thënë ai ekspertët vlerësojnë se në vjeshtë pritet të ketë valë të re të pandemisë Covid-19.

Këto komente ai i ka bërë nga salla “1 Tetori” në Prishtinë, pasi ka marrë dozën e parë të vaksinës “AstraZeneca”.

“Vjeshta duhet të na gjejë me sa më shumë qytetarë të vaksinuar. Është e vetmja mënyrë dhe me siguri se edhe nëse paraqitet një valë e re deri në vjeshtë, e që sipas ekspertëve është pothuajse e pashmangshme, vetëm të vaksinuar ruajmë shëndetin e njëri-tjetrit, shëndetin ekonomik, social, ruajmë mirëqenien tonë”, ka thënë Vitia.

Vitia ka folur edhe për hezitimin e qytetarëve që të marrin vaksinën “AstraZeneca”, por ka theksuar se vaksinat që përdorë Kosova janë të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Administrata amerikane për Ushqim dhe Barna (FDA).

Ai ka thënë se ky hezitim po vjen pasi individë të papërgjegjshëm me ose pa vetëdije po shkaktojnë dëme në shëndetin publik.

Më tutje, ministri Vitia ka folur edhe për vaksinimin në komunat me shumicë serbe.

“Disa nga komunat në pjesën veriore vetëm kanë shkuar ekipet tona dhe kanë treguar që një pjesë e madhe e tyre tashmë janë vaksinuar dhe nuk kanë pasur nevojë për vaksina. Kurse, në disa komuna të tjera kanë kërkuar që stafi i tyre, ekipet e vaksinimit, të vijnë dhe të trajnohen në këtë qendër, që është bërë dhe në bazë të kërkesës së tyre u është dërguar edhe numri i vaksinave, për të cilin nuk kam shifër të saktë”, ka thënë Vitia.

Vitia ka theksuar se të gjithë qytetarët që duan të vaksinohen do të vaksinohen, teksa ka shtuar se komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian do të ndihmohen nga ekipet mobile që të regjistrohen dhe vaksinohen.

Kosova, sipas Vitisë, deri më tani ka mbi 2 milionë vaksina dhe ka vaksina të mjaftueshme në stoqe. Ai po ashtu ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të bëhet edhe rishikimi i masave kundër Covid-19.

Kosova ka nisur vaksinimin kundër koronavirusit në fund të marsit, ndërsa më 15 qershor ka filluar vaksinimi masiv. Deri më 7 korrik, në Kosovë janë vaksinuar mbi 236 mijë qytetarë, ku rreth 58 mijë prej tyre janë vaksinuar plotësisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…