Vitin e ardhshëm pritet zbatimi i linjës energjetike Kosovë – Shqipëri
Linja energjetike e interkoneksionit Kosovë – Shqipëri pritet të aktivizohet në muajin prill të vitit të ardhshëm, thonë në Qeverinë e Kosovës. Kjo linjë që ishte shpallur e përfunduar dhe inauguruar para tre vjetësh, do të aktivizohet pas vendimit të Operatorëve të Transmisioneve të Evropës Kontinentale, që Republika e Kosovës të kontrollojë dhe menaxhojë kufijtë e vetë energjetikë.
Linja energjetike e interkoneksionit ishte shpallur e përfunduar,einauguruar dhe testuar në qershor të vitit 2016. Ajo është një linjë interkoneksioni prej 400 kilovatësh në mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe ka shtrirje në një gjatësi totale prej 241.1 kilometrave, nga të cilat 151.1 kilometra shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 kilometra në territorin e Kosovës. Ky projekt ka kushtuar 75.5 milionë euro. Mbi 33 milionë euro u financuan nga Kosova, ndërsa 42 milionë të tjera nga Shqipëria.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka thotë se arsye kryesore e mosaktivizimit të kësaj linje ka qenë Serbia, e cila, sipas tij, nuk e ka zbatuar Marrëveshjen për energjinë, të nënshkruar në Bruksel në vitin 2013, ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Nga mosrespektimi i kësaj marrëveshjeje, Kosova vlerësohet se ka humbur deri në 12 milionë euro në vit, pasi sipas ministrit Lluka, inkasimi i tarifave të transmisionit që energjia kalon transit përmes Kosovës, është bërë nga shteti i Serbisë në emër të Kosovës.
Operatori i Sistemit të Serbisë (EMS) mbledh të hyrat e alokimit të kapaciteteve për linjat kufitare të Kosovës me shtetet fqinje. Kjo praktikë, sipas autoriteteve në Prishtinë do të ndalohet nga muaji prill i vitit 2020.
Sipas ministrit Lluka, arsyeja e mosqarkullimit të kësaj linje që tri vjet pas inaugurimit është se nga funksionalizimi, Serbia si menaxhuese kufijve energjetikë, do të përfitonte të hyra financiare. Kurse nga muaji prill i vitit 2020, vlera e mjeteve financiare do inkasohet në KOSTT.
“Funksionalizimi i intekoneksionit Kosovë – Shqipëri do të rriste inkasimet deri në 3 milionë euro shtesë për transmisionin serb. Tanimë mund të aktivizohet me Shqipërinë dhe jo vetëm që i ndihmon Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) që të inkasojë 2-3 milionë euro shtesë si pjesë e qarkullimit të rritjes së tarifave. Por, ajo që është me rëndësi është se përdorimi më i mirë i energjisë përmes kombinimit qe Kosova ka thëngjill dhe Shqipëria me hidro”, thotë Lluka për “Radion Evropa e Lirë”.
Ministri Lluka, tregon se në çfarë formë do jetë bashkëpunimi energjetik midis Kosovës dhe Shqipërisë me jetësimin e këtij interkoneksioni.
“Kosova ka gjithmonë mbiprodhim gjatë verës, Shqipëria vazhdimisht importon energji gjatë verës sepse ka mungesë të ujit dhe rritje të turizmit. Kurse në anën tjetër, në stinën e dimrit është krejtësisht e kundërta. Kosova gjithmonë importon energji, kurse Shqipëria gjithmonë eksporton”, tha Lluka.
Edhe përfaqësues të shoqërisë civile që merren me çështje energjetike, pohojnë se zbatimi qarkullimit të linjës energjetike të Kosovës dhe Shqipërisë do të përmirësonte situatën energjetike në sezone të ndryshme.
Visar Azemi, drejtor ekzekutiv në organizatën joqeveritare “Balkan Green Foundation”, tha për Radion Evropa e Lirë, se përveç përfitimeve nga interkoneksionit Kosovë- Shqipëri, e rëndësishme është që Republika e Kosovës do të menaxhojë kufijtë energjetikë.
“Këto dy vende do të kenë mundësi që të shkëmbejnë energjinë elektrike dhe do të përfitonin jashtëzakonisht shumë. Por, gjithsesi përfitim financiar do të ketë Kosova, për shkak se tashmë do të menaxhojë kufijtë e saj energjetikë, të cilën Serbia në një fare mënyre i ka ‘përvetësuar’ duke menaxhuar kufijtë e Kosovës. Kjo tashmë do të jetë pjesë e Kosovës dhe Kosova do të ketë mundësi që të përfitojë edhe financiarisht”, thekson Azemi.
Ka disa vjet që Kosova e akuzon Serbinë për ndërhyrje në sistemin energjetik të Kosovës duke mos e njohur pavarësinë e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).
Në vitin 2015, Kosova kishte nënshkruar marrëveshjen për kyçje të sistemit energjetik të kosovës në Zonën Sinkrone të Evropës Kontinentale. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar midis KOSTT –it në njërën anë dhe organizatës së Operatorëve Evropian të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO-e). Por, Serbia nuk ka nënshkruar këtë marrëveshje, me çka e ka bërë jo të plotfuqishme atë, ngase kërkohet nënshkrimi i të gjitha vendeve anëtare./REL