Vitin e ardhshëm shkollat me tekste të reja

22 dhjetor 2018 | 16:26

Dorëshkrimet e para për tekstet e reja shkollore, janë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit dhe në fund të dhjetorit, pritet të dorëzohet edhe pjesa e dytë.
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka deklaruar për televizionin publik se recensentët, do të merren me vlerësimin e dorëshkrimeve të dorëzuara dhe se do të jenë të kujdesshëm për të parë nëse janë eliminuar të gjitha dobësitë që kanë të bëjnë me gjuhën e diskriminimit apo edhe gabime të tjera. Tekstet do të jenë të gatshme për vitin shkollor 2019/2020.
Pas të gjitha gjetjeve për gabime në tekstet shkollore, ku përfshihet gjuha diskriminuese për kategori të caktuara të shoqërisë dhe gabime të tjera shkencore e historike, Ministria e Arsimit është në proces të hartimit të teksteve të reja shkollore për nivelin para universitar. Sipas analizave të bëra viteve të fundit për lëndët: Histori, Biologji, Psikologji, Sociologji dhe Edukatë Qytetare, janë gjetur mbi 100 raste që këto tekste përmbajnë gjuhë diskriminuese e përjashtuese. Trina Binaku nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, tha për televizionin publik se pas këtyre gjetjeve i është rekomanduar Ministrisë së Arsimit të hartohen tekste të reja, duke i vlerësuar ato nga ana e ekspertëve.
“Mund të arsyetohen me faktin që ka filluar grupi punues për tekste shkollore, por po ecë shumë ngadalë dhe marrëveshjet e tyre me shtëpitë botuese janë problematike. Shumë nga këto libra përmbajnë fakte shkencore që nuk janë fakte, ku asnjëri prej tyre nuk ka ndonjë referencë, si p.sh kujt i është referuar paragrafi “Femra kanë tendenca më shumë te jenë ambicioze dhe depresive”, ka thënë Smajli.
Bytyqi tha se tashmë dorëshkrimet e para të teksteve të reja, janë dorëzuar në Ministri dhe deri në fund të dhjetorit, do të dorëzohet edhe pjesa e dytë.
“Recensentët do të jenë ata që do të marrin vendim se cila libër i plotëson kriteret në përputhshmëri me kurrikulat që tashmë i kemi në zbatim. Të gjitha dobësitë që janë vërejtur me vite, ne do t’i kemi tekstet e reja dhe recensenti e ka për obligim për të parë që janë eliminuar ato dobësi, qoftë edhe gabime materiale që kanë ekzistuar, qoftë edhe për shumë fjali fyese për kategori të ndryshme”, ka thënë Bytyqi.
Ministri Bytyqi, tha se tekstet e reja do të jenë të gatshme të shpërndahen nëpër shkolla për vitin e ri shkollor 2019/2020. Përveç tyre, do të ketë edhe tekste ndihmëse për mësimdhënësit për të lehtësuar punën e tyre me materiale shtesë dhe një udhëzues përdorimi. Ministri Bytyqi bëri të ditur se tashmë është hartuar edhe draftligji për tekste shkollore, i cili është në diskutim publik dhe se së shpejti, do të jetë në Qeveri për miratim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ambientet e Kolegjit AAB është promovuar libri më i…