Vitin e kaluar komuna e Gjilanit ka mbështetur 2 339 fermerë
Në Komunën e Gjilanit gjatë vitit 2019 janë mbështetur me subvencione 2 339 fermerë ose 83 për qind nga të gjitha kërkesat e tyre.
“Gjatë 2019-s kemi pranuar 2 805 kërkesa për mbështetje dhe aplikacione për subvencione, prej të cilave pozitivisht iu kemi përgjigjur 2 339 prej tyre ose 83 për qind, ndërsa janë refuzuar 466 kërkesa. Jemi të lumtur kur të arrijmë që të gjitha kërkesave t’iu përgjigjemi pozitivisht”, ka deklaruar drejtori i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, në konferencën për medie.
Sipas tij, mbështetja ka shkuar në subvencionimin e mbjelljeve pranverore dhe vjeshtore, si masë e përhershme, në mekanizim bujqësor, serra për perimtarët, shtëpiza për bletarët, makina mjelëse për blegtorët, sikurse edhe ngritja e 15 hektarëve me kulturë të arrës.
Ai ka thënë se 2019-ta ka qenë i bereqetshëm edhe sa i përket mbështetjes së donatorëve, kryesisht të huaj.
“Faleminderit shumë Komisionit Evropian, IADK, shkollës së mesme të agro-biznesit ‘Arbëria’, OZhR ‘Mëshqerra’, etj., për mbështetjen e jashtëzakonshme për realizimin e projekteve tona. Me këtë mbështetje, u është lehtësuar jashtëzakonisht shumë puna e fermerëve të Gjilanit. Po ashtu, faleminderit kryetarit Haziri për mbështetjen e madhe, duke e ruajtur bujqësinë si prioritetin e pare të qeverisjes”, ka deklaruar Ramadani, duke shtuar se mbështetja për fermerët gjilanas do të vazhdojë edhe në vitin 2020.
/Epoka e re/