‘Vitin e kaluar për kontratat një burimore u shpenzuan 78 milionë euro’
Demokraci Plus ka publikuar raportin rreth përdorimit të kontratave një burimore në prokurimin publik gjatë viteve 2019-2023. Ardit Dragusha, ka thënë se situata është emergjente ngase gjatë këtyre katër vjetësh janë lidhur një numër i madh i këtyre kontratave një burimore. Ndonëse, ai ka theksuar se kjo situatë është krijuar për shkak të Covid-19 edhe pas tejkalimit të krizës institucionet e kanë vazhduar një praktikë të tillë.
Ai ka sqaruar se në vitin 2019 me kontrata një burimore janë shpenzuar 68 milionë euro, në vitin 2020, 56 milionë euro dhe në 2021, 51 milionë euro. Ndërkohë në vitin 2022 sipas IKD-së janë shpenzuar rreth 78 milionë euro. Dragusha ka pohuar se institucionet që kanë lidhur më së shumti kontrata një burimore gjatë viteve 2019-2023 janë: Komuna e Prishtinës, KEK-u, Komuna e Gjakovës dhe Komuna e Ferizajt.
Sipas tij, një problem tjetër që ndikon në lidhjen e kontratave një burimore është kapacitetet jo adekuate të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. “Në Kosovë, kontratat në prokurim publik mund të lidhen përmes disa procedurave. Procedura më e ndjeshme është ajo e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, përmes së cilës lidhen kontratat një burimore. Në rastet kur përdoret kjo procedurë, institucionet nuk publikojnë njoftimin për kontratë dhe ftojnë operatorët ekonomikë që të ofertojnë. Rrjedhimisht, kjo procedurë nuk është e hapur për operatorët e tjerë të interesuar të ofertojnë, pra kufizon konkurrencën e lirë në mes të operatorëve ekonomikë. Përdorimi i kësaj procedure është definuar në nenin 35 të Ligjit për prokurim publik, në të cilin janë parashikuar rastet kur mund të përdoret kjo procedurë”, ka thënë Dragusha.