VITIN TJETËR NË… FUND TË PUSIT!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Është titulli i një publikimi të shkrimeve analitike të një politikani me shkollë, përgatitje të shkëlqyera profesionale sikur edhe me një ndjeshmëri të theksuar për këto procese nëpër të cilën po kalon Kosova, por edhe vendet e rajonit që, në një mënyrë apo tjetër, rrugëtimin e Kosovës e përcaktojnë drejt një të ardhmeje të synuar dhe dëshiruar apo i kthen proceset, jo në pikën O, por diku aty te O+.
Në fakt, titulli i këtij publikimi i rrugëtimit të autorit, si dëshmitar aktiv e si vendimmarrës pasiv, të tillë janë sot ata që kanë ndërgjegje njerëzore, kombëtare, morale dhe politike ka qenë: “VITIN TJETËR NË…” kurse unë, që mu besua nga autori të shkarravis diçka, ndjeva se diçka po i mungon këtij titulli i cili hapë mundësi për interpretime të ndryshme dhe çdokush, pas pikave, mund të vazhdojë me atë çka dëshiron, çka i pëlqen, preferencave dhe referencave politike si dhe përmbushje e hakmarrjes ndaj kundërshtarit të cilin e quan kryesisht armik apo ndonjë interpretim tjetër që hynë në sferën e psikologjisë klinike.
Duke e njohur personalisht autorin që e konsideroj si Evlia Çelebia apo Marko Polo i përshkrimit të rrugëtimit të proceseve politike e që për dallim prej këtyre dy rrugëtimpërshkruesve, Albinoti e tregon rrugën e qartë drejt cakut të synuar. Dy udhëpërshkruesit e famshëm, në kokën e tyre kishin ngatërrime të orientimit duke mos e pasur të qartë stacionin e fundit e që, në mungesë të sinjalizuesve të komunikacionit apo navigimit të përparuar që e kemi sot, mund të arsyetohen dhe, në këtë kontekst, kanë gjëra të përbashkëta me këta politikanët tanë që, krahasuar me dy të parët, janë rast shumë më i rëndë; përkundër përparimit fantastik shkencor, iu ka humbur rruga në oborr, pa pasur ide se si të dilet nga aty e lëre më ta kenë të qartë një stacion apo cak ku do ta takojnë Godon.
Jo Sabri Godon, por Godon e Beketit. Pas leximit të kujdesshëm të këtyre shkrimeve analitike disi fitova përshtypje që edhe autori e ndanë mendimin me mua që, pas pikave ku përfundon titulli, t’i shtohet në fund të pusit, pra VITIN TJETËR NË… FUND TË PUSIT dhe tash e kemi një titull të kompletuar që pasqyron perspektivën e Kosovës si edhe të qytetarëve të saj, përjashtuar këtu politikanët që sillen sikur të kishin ardhur nga një botë tjetër, të shkëputur krejtësisht nga realiteti. Albinoti dhe brezi që i takon, është shpresa, energjia, vullneti, veprimi, mundësia, mendësia dhe kuptimi i ndryshimeve që duhet të ndodhin kurse ne, “Çeta e Profetëve”, që dikur ishim nismëtarë dhe bartës të shtyrjes së proceseve, tash, të shndërruar në Çetën e Elefantëve në rrugëtimin drejt vendit ku do t’i lëmë kockat, jemi bërë pengesë e proceseve shkaku se jemi të ngarkuar me hipotekën e ndjenjës së madhështisë për të kaluarën sikur që luftën brenda llojit e kemi shndërruar në art që as Lao Ce nuk do të dinte ta përshkruante në mënyrë më bindëse.
Nuk mund të shkojnë drejt të së ardhmes njëjtë sikur ai që bartë mbi supe 100 kg (hipoteka nga e kaluara) sikur ai që i ka supet e lira (ka mendje të hapur dhe nuk vuan nga e kaluara). Ky është dallim midis nesh dhe këtyre që do t’i çojnë proceset më tej. Realisht, çdo gjeneratë që vjen do ta ketë më lehtë se që e kishim ne apo ata para nesh. Dikur duhet të investonim në muskuj, qëndrueshmëri për t’iu përballuar dhunës dhe terrorit gjatë tërë procesit, nga organizimi ilegal, arrestimet, burgjet e deri te lufta e fundit kurse, tani, gjenerata që e ka për mision përfundimin e ndërtimit të shtëpisë, e që ne ua lamë vetëm si ndërtim të vrazhdë, duhet të investojnë në dije. Mungesa e dijes ishte faktori kyç që e pamundësoi përfundimin me sukses të misionit për ndërtim të shtetit dhe bashkim kombëtar nga brezi sakrifikues e që u vërejt sidomos pas përfundimit të luftës.
Disi e përfunduam luftën, nuk ditëm ta ndërtojmë paqen. Ta parafrazojë Klauzevicin ashtu siç nuk duhet por se që vërtetë ndodhi në Kosovë: “Procesi i paqes dhe shtetndërtimi bëhet me mjete tjera pas përfundimit të luftës por jo me mjete të luftës…”. Po të ishte ndryshe, Albinoti nuk do të kishte fare nevojë ta bëjë këtë libër por do të merrej me analiza tjera siç u takon “doktorëve të politikës” që kujdesen për shëndetin politik në shtetet normale. Në rrethana normale dhe me politikanë që e kanë të përfunduar, së paku shkollën fillore politike, Albinoti nuk do të kishte nevojë të merrej me gjëra të tejkaluara siç ishin raportimet bajate dhe të kota në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku Kosova “përfaqësohej” nga dy aleatë që nuk e kundërshtonin njëri-tjetrin dhe të cilët, në fakt ishin zëri i interesave të Serbisë, kryeadministratori i UNMIK-ut dhe përfaqësuesi i Serbisë. Kosova nuk ishte askund. Shkrimet analitike të përfshira në këtë publikim nisin me 07.09. 2016 dhe përkohësisht përfunduan me 24. 11. 2017, sigurisht për të vazhduar, DERI NË FUND TË PUSIT apo te dalja nga pusi.
Pa e prekur fundin e pusit, nuk keni mundësi të dilni nga ai, me kusht se nuk dorëzoheni. Në këtë publikim janë të përmbledhura të gjithë shkaktarët që ndikuan që Kosova të bëhej ashtu si nuk e deshëm dhe si nuk do të duhej të ishte një shtet normal. Mosdija politike dhe analfabetizmi intelektual krijojnë vartësi dhe të çojnë në servilizëm ndaj burokratëve ndërkombëtarë të cilët, falë kësaj dhe përvojave nga vendet e tjera që kanë ngjashmëri me Kosovën por jo edhe krejtësisht të ngjashme (Kosova është rast sui generis edhe në këtë kontekst) e lehtësojnë dhe e rrisin mundësinë e manipulimit me këtë klasë të pashembullt zvarranike duke krijuar situata dhe probleme të cilat Albinoti i përshkruan në publikimin puro politik, VITIN TJETËR NË… pikërisht si një mjek i mirë, e cakton diagnozën apo e identifikon problemin që, në rrethana normale do të ishte ndihmë e madhe dhe lehtësi për ata që marrin vendime.
Te ne kemi një situatë tjetër, ata që duhet të marrin vendime për eliminimin apo zvogëlimin e problemeve, janë edhe shkaktarë të këtyre problemeve dhe nuk kanë asnjë interes t’i zgjidhin ato por i (keq) përdorin për ta zgjatur mbijetesën politike.
Roli dyfytyrësh i një pjese të bashkësisë ndërkombëtare është një gjetje e këtyre shkrimeve analitike të cilën e kemi të qartë thuaja të gjithë por se na mungon guximi intelektual ta pranojmë botërisht shkaku se nuk jemi në gjendje ta marrim një përgjegjësi të tillë. Problemi kryesorë që e gërryen sot Kosovën duke ia shkatërruar skeletin shtetërorë për të ardhmen e që autori Maloku e përsëritë thuaja në të gjitha paraqitjet publike apo shkrimet është nepotizmi primitiv sikur edhe klientelizmi politik dhe partiak.
Sa mund dhe a mund të jetë i qëndrueshëm një shtet nëse nuk ka strukturat që garantojnë sigurinë për të gjithë qytetarët, të pavarura, profesionale dhe nën mbikëqyrje institucionale nuk shtrohet fare as si dilemë në këtë publikim sidomos kur analizohet përbërja e AKI-së dhe peripecitë që i ka FSK-ja duke kaluar nëpër vuajtje të Tantalit për t’u shndërruar në ushtri të Kosovës. Nëse një organizëm i gjallë ka probleme të funksionimit të brendshëm, nuk ka ardhmëri apo mund të shndërrohet në barrë për të tjerët, nëse një shtet që është shumë më kompleks se një organizëm, ka aq shumë probleme e që Kosova realisht i ka atëherë jo që nuk mund të flasim për perspektivën si shtet por as për të tashmen, gjithashtu si shtet.
Konstelacioni i fuqisë vendimmarrëse të disa shteteve ndërkombëtare, të rreshtuara në anën tuaj apo kundër e përcaktojnë kualitetin e përbërjes shtetërore dhe funksionimin e saj duke e garantuar qëndrueshmërinë si shtet apo, në të kundërtën duke e bërë shtetin si një qenie të brishtë, me imunitet të dobësuar dhe me rrezik të madh për mbijetesë afatgjatë. Kosova, si vend dhe si shtet nuk dallon aspak nga kurdët dhe Kurdistani përveç faktit se e ka një pavarësi shumë lodhët, me një integritet territorial të kontestuar dhe me një sovranitet të mohuar në një pjesë ku jetojnë serbët e rebeluar apo ka mungesë sovraniteti në marrje të vendimeve që kanë të bëjnë me të ardhmen e saj.
Shqiptarët janë të shkapërderdhur në 6 shtete duke e copëtuar korpusin kombëtar që ndikon në destabilizimin afatgjatë të tyre dhe i bënë lehtësisht të manipulueshëm. Thuaja, sipas autorit, në të gjitha shtetet ku jetojnë shqiptarët ka probleme që e kanë një burim e një përmbajtje dhe riciklimi apo mirëmbajtja e këtyre problemeve bëhet lehtësisht i menaxhueshëm duke e mbajtur situatën gjithnjë nën tension apo në gjendje vegjetative, nuk jeni krejtësisht i vdekur por as nuk jepni shenja se do të ringjalleni.
Piemonti i të gjithë shqiptarëve ka dështuar në bashkimin e shqiptarëve apo përfaqësim të interesave të tyre e për bashkim kombëtar është herezi edhe të mendohet dhe e tëra kjo është shndërruar në arenë gladiatorësh midis gjyshit të kombit shqiptar, Sali Berishës dhe babait të këtij kombi, Edvin Ramës. Këta të dy, për ta siguruar mbijetesën dhe ngulitjen afatgjate në skenën politike si dhe përkrahjen ndërkombëtare, luanëve të uritur në arenën e gladiatorëve ua gjuajnë gjymtyrët e shqiptarisë, qoftë nga Çamëria, Kosova, Lugina, Maqedonia apo edhe nga vet Shqipëria. Prandaj edhe i kemi të gjitha këto probleme.
Lojërat dhe ndërskëmcat politike, që ia vendosin njëra-tjetrës partitë politike gjatë formimit të koalicioneve për të qeverisur e që në shqip përkthehet si imoralitet i skajshëm është njëri ndër shkaktarët e instalimit të injorancës, joprofesionalizmit, pandershmërisë e që e legalizon kushtëzimin si mjet për arritjen e qëllimeve politike.
Shtetet e rajonit, me një automatizëm ua njohin nënshtetësinë të gjithë bashkatdhetarëve përveç shqiptarëve që ua mohojnë shqiptarëve këtë të drejtë të ligjshme dhe të natyrshme për shkak të presionit dhe kushtëzimeve nga bashkësia ndërkombëtare. Edhe këtë të drejtë natyrore dhe krejtësisht të ligjshme, njohja e shtetësisë po keqpërdoret për qëllime të përfitimit politik nga spekulantët politikë, si të Kosovës ashtu edhe të Shqipërisë aq më parë që Shqipëria ua ka njohur shtetësinë bijve dhe bijave të ish-udhëheqësve shqiptarë të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë të cilët edhe sot, më shumë e duan Serbinë, se Shqipërinë.
Hallkat e zinxhirit të shkrimeve analitike të publikimit VITIN TJETËR NË… janë të shumta dhe nuk mund të analizohen veç e veç por si një tërësi e pashkëputur dhe logjike që e përcaktojnë gjendjen në të cilën gjendet sot Kosova por edhe vendet tjera ku jetojnë shqiptarët duke ua siguruar një rrugëtim me shumë pikëpyetje dhe me shumë të paqarta e që është një terren i përshtatshëm dhe tokë e premtuar për të gjithë kriminelët dhe keqbërësit, vendorë dhe ndërkombëtarë me të cilët, kundër vullnetit tonë është e mbjellë sot Kosova.
Albinot Maloku, duke e përshkruar drejt dhe sinqerisht situatën sikur edhe akterët që ndikojnë në këtë situatë duket se ka hequr dorë nga politika e cila, si e tillë nuk ka vend për Albinotin por se as Albinoti, në këto rrethana dhe në këto kushte në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet kubëz për ta plotësuar mozaikun, kryesisht të kriminalizuar të skenës politike kosovare. Me edukimin familjar që e ka, me ndërtimin intelektual dhe me besimin te njeriu, hë për hë është trup i huaj në këtë organizmin e kalbëzuar politik. Dhe mirë që është. Çka duhet të bëjë në këtë çast Albinoti dhe ata që bashkëmendojnë si ai?! Duhet të shkruajnë dhe vetëm të shkruajnë. Lima nuk e heq ndryshkun e ndërgjegjes e as ndonjë preparat kimik. Vetëm shkrimi e zgjon ndërgjegjen e fjetur dhe e pastron ndryshkun e ndërgjegjes. Nëse bëhet në kohë të caktuar dhe në mënyrë të duhur!