Vive l’Anarchie!
Barbara Wesel
Në fakt betejat në rrugë në fundjavë ndiqnin një model të njohur: Ka një demonstratë dhe në periferi mobilizohen forca të dhunshme. Por kësaj here imazhet ishin konfuze: Cilët ishin demonstruesit politikë dhe ku ishte kufiri me demonstrusit e dhunshëm që bënë trazira? Gilets Jaunes (jelek verdhët) ua bënë më të vështirë policëve krahasuar me protestat e tjera nga e kaluara të sindikalistëve apo partive politike. Demonstruesit e organizuar përmes rrjeteve sociale janë tërësisht të papërkufizueshëm. Sepse çdo i pakënaqur në vend mund të vesh një jelek të verdhë.
Një cilësi e re e dhunës
Trazirat në Paris kësaj here ishin më me destinacion të qartë dhe më të organizuara se herë të tjera në të kaluarën. Nëse dikur demonstrohej e pastaj pasonin përleshjet si një akt i dytë, kësaj here qysh në mëngjes protesta nisi me trazira. Në kontekstin e lidhjes me grupet e ekstremit të majtë e të djathtë kjo dukuri nuk është e re.
Edhe në qytetet gjermane ka pasur për dekada të tëra skena të dhunshme, për të cilat lufta kundër shtetit ka qenë qëllimi i tyre. Së fundi të tilla trazira u përjetuan gjatë demonstratave kundër G20 në Hamburg verën e vitit 2017. Por në fund kjo skenë shterroi si dukuri e vazhdueshme, sepse brezi i ri mungonte dhe sepse policia mësoi, se si të veprojë më mirë.
Ajo që i duhet në radhë të parë presidentit Macron është një strategji e re e policisë, e cila të jetë e përshtatshme t’u bëjë ballë trupave të dhunshme që reagojnë me fleksibilitet. Me të drejtë diskutimi për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme shumë shpejt u mbyll. Me këtë do t’u jepej rëndësi politike pa vend shkaktarëve të trazirave. Përveç kësaj ligjet franceze ofrojnë hapësirë për çdo mënyrë të nevojshme veprimi. Presidenti, i cili në kuadër të G20 deklaroi zero tolerancë ndaj dhunës, ka të drejtë: Shumica e francezëve nuk jetojnë në kushte që mund ta justifikonin shkatërrimin e zonave të tëra në qendër të Parisit.
Çfarë duan demonstruesit?
Lëvizja Gilets Jaunes ndërkohë po copëzohet. Një ndër përfaqësuesit rajonal të saj deklaroi, se ai e përfytyron veten si kryetari i shtetit i kreut të ushtrisë të dorëhequr pranverën e kaluar. Një diktaturë ushtarake në vend të qeverisë së zgjedhur? Ngjitur me dëshirën për anarki në Francë jeton edhe lidhja e fortë me shtetin.
Duket pra se tek disa jelek verdhë dominojnë tendencat radikale të djathta dhe ata që bllokojnë autostradat dhe pikat e pagesës në autostrada i përkasin më shumë së majtës. Që të dyja palët përpiqen të përfitojnë prej trazirave në vend. Ndërkohë që duket jo konkrete dhe jo e logjikshme përzierja e kërkesave të tilla të demonstruesve – nga ulja e TVSH-së dhe taksës së benzinës e deri tek rritja e shërbimeve sociale si dhe e indinjatës ndaj “të pasurve”.
Tani qeveria ka vendosur një takim me grupet qytetare, për t`i dëgjuar kërkesat e tyre. Të dëgjuarit është në këtë mes më e rëndësishme se sa përmbushja e dëshirave pjesërisht ireale. Shteti social francez vazhdon të ofrojë kujdes të madh sigurimi, por shumë nuk ndihen të trajtuar mirë në këtë sistem. Problemi ka të bëjë me perceptimin e realiteti.
Arti i strategjisë së tërheqjes
Në verë Emmanuel Macron e fitoi me ashpërsi luftën me sindikatën e hekurudhave. Tani presidentit i duhet të tregojë, që edhe ai mund të jetë i mençur dhe të gjejë një rrugë mes reformave të domosdoshme, objektivave të tij ambicioze si dhe vlerësimit me mençuri të së mundshmes.
Francezët janë një popull i vështirë për t`u qeverisur, sepse gjeni revolucionar i tyre është mjaft i spikatur. Ata kanë pretendime të pakufishme ndaj shtetit, të cilin e luftojnë me shumë dëshirë. Konsensusi nuk është pjesë e kulturës politike. Presidenti nuk është për ta pasur zili, që i duhet t`i pajtojë qytetarët me reformat e nevojshme. Në fakt kjo është një detyre pothuajse e pazgjidhshme. Por nëse ai do të mbijetojë, pas një fillimi të fortë i duhet të mësojë artin e strategjisë së tërheqjes, pa u dukur i dobët. Le të shpresojmë që Macron do të piqet prej detyrave të tij./dw/