Vizat e punës, ambasada e Gjermanisë del me një njoftim
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka dhënë një njoftim me rëndësi për kosovarët që duan të caktojnë termin për viza të punës.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Ambasada ka bërë me dije se lista e pritjes për termine për muajin shtator është mbyllur dhe se lista e pritjes për muajin tetor do të hapet në javën e dytë të shtatorit.
“Për terminet që janë në dispozicion në muajin e ardhshëm tashmë ka regjistrime të mjaftueshme. Prandaj lista e pritjes për termine për muajin shtator është mbyllur. Lista e pritjes për Tetorin do të hapet në javën e dytë të Shtatorit. Nëse në sistemin për caktimin e termineve nuk shfaqet kategoria “Punësim sipas § 26 Abs. 2 Urdhëresa e Punësimit (Rregullorja për Ballkanin Perëndimor), ekziston mundësia që ndodheni jashtë periudhave kohore të lartëcekura, ose që është arritur numri maksimal i regjistrimeve për caktimin e një termini për muajin vijues. Nëse lista për muajin vijues është plotësuar, atëherë duhet të prisni për muajin tjetër. Në ndërkohë ju mund mund të kompletoni dokumentacionin e kërkuar për parashtrim të kërkesës për vizë”, ka njoftuar ambasada.
Tutje, ambasda ua ka kujtuar qytetarëve të Kosovës edhe kriteret për hyrje në Gjermani, shkaku i situatës me pandeminë.
“Ju lutemi vini re që për shkak të kufizimeve të udhëtimit të shkaktuara nga pandemia, aktualisht drejt Gjermanisë mund të udhëtojnë vetëm personat, të cilët posedojnë një një dëshmi mbi vaksinimin e plotë kundër Covid-19 me një nga vaksinat e lejuara EMA (aktualisht BionTech-Pfizer/Cominarty, Moderna, AstraZeneca/Vaxzevria – secila nga dy doza, Johnson&Johnson/Janssen – një dozë) – doza e fundit e vaksininës duhet të jetë marrë në së paku 14 ditë më parë. Ose mund të dëshmojnë që për ata vlenë njëra nga përjashtimet e kufizimeve aktuale të udhëtimit (dëshmitë duhet të sillen me vete me rastin e parashtrimit të kërkesës për vizë)”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Gjermanisë.