Vizat japoneze për qytetarët e Kosovës do të jepen në Tiranë
Si hap i parë i takimit të djeshëm midis dy ministrave të jashtëm të Japonisë dhe Kosovës, Taro Kono dhe Behgjet Pacolli në Tokio, të premten ka mbërritur nota verbale japoneze me lajmin e mirë për qytetarët e Kosovës.
Japonia ka pranuar menjëherë kërkesën e ministrit Pacolli, që vizat për qytetarët e Kosovës që duan të udhëtojnë në Japoni, të jepen në Ambasadën e Japonisë në Tiranë.
Ky është një lehtësim i konsiderueshëm për shtetasit e Kosovës, duke pasur parasysh se deri më tani vizat për ta jepeshin në ambasadën e Japonisë në Vjenë.
Gjatë takimit të djeshëm pala japoneze ka premtuar se do ta merrte parasysh kërkesën e shefit të diplomacisë së Kosovës për regjim pa viza, në rast se Bashkimi Evropian do t’i heqë vizat për qytetarët e Kosovës në të ardhmen e afërt.
Ndërkohë, dita e dytë e vizitës së ministrit të jashtëm të Kosovës dhe numrit dy të qeverisë, i shoqëruar nga ministri i zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka në Tokio, kishte në fokus bashkëpunimin ekonomik me Japoninë, njërin nga tre vendet më të zhvilluara ekonomike të botës dhe donatorët kryesorë në rrafsh botëror.