Vizat, Parlamenti Evropian sot voton për hapat e ardhshëm
Parlamenti Evropian pritet të votojë sot për hapat e ardhshëm të procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Dje, Parlamenti Evropian diskutoi lidhur me këtë çështje ku u vunë re dallimet mes përfaqësuesve evropianë.
Raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka deklaruar se Evropa është duke humbur kredibilitetin dhe qytetarët e Kosovës po humbin shpresën në lidhje me liberalizimin e vizave.
Ajo ka shtuar se Kosova ka përmbushur obligimet e saj, ndërsa ka tërhequr vëmendjen se rritja e radikalizmit mund të jetë rezultat i izolimit të Kosovës dhe dëshpërimit pasi BE-ja ka dështuar të realizojë premtimin e saj.
Procesi i liberalizimit të vizave nisi në vitin 2012 ku Kosovës iu kërkua që të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandim pozitiv për liberalizimin. Ky rekomandim u dha në muajin korrik të vitit ë kaluar, ndërsa në shtator Parlamenti Evropian votoi për liberalizimin e vizave.
Mirëpo, në muajin dhjetor, Këshilli i Ministrave nuk e vendosi në agjendën e tyre këtë çështje. /KP/