Vizer: Populli i Kosovës ka shpirt luftarak, krenohuni me Majlindën

02 mars 2020 | 11:35

Presidenti i Federatës Botërore të Xhudos, Marius Vizer, gjatë javës së kaluar qëndroi në Kosovë. Ai ishte i pranishëm në ceremoninë për përzgjedhjen e më të mirëve nga Komiteti Olimpik i Kosovës “Laureatët 2019” si dhe në përurimin e shtatores së sportistes më të suksesshme kosovare, Majlinda Kelmendit, shtatore kjo që pikërisht ishte dhuratë nga organizata që Vizer udhëheq. I pari i xhudos në botë në një intervistë për “KosovaPress” shprehu kënaqësinë e të qenit sërish në Kosovë, derisa vlerësoi lart të arriturat e xhudistëve të Kosovës dhe Federatës së Xhudos në arenën ndërkombëtare. “Është një nder i madh për mua që të jem i ftuar dhe të marrë pjesë në Galën e Komitetit Olimpik. Isha plot emocione sepse i mbaj mend të gjithë hapat e procesit të pranimit, kur forcave të ndryshme u bënë së bashku me kryetarin e Komitetit Olimpik, ish-ministrin e Sportit dhe shumë njerëz të sportit nga Kosova, por më në fund ishte shpaguar. Tani Kosova mund të jetë krenare që e kanë pranuar plotësisht në Komitetin Olimpik, një komitet i respektuar dhe me medalje të artë të arritur në lojërat Olimpike në Rios”, ka thënë Vizer.

Sa i përket sportistes më të suksesshme nga Kosova, Majlinda Kelmendi, i pari i xhudos botërore u shpreh se ai e njeh që një kohë të gjatë xhudisten nga Peja dhe shpreson që ajo ta përsërisë suksesin e arritur në lojërat Olimpike “Rio 2016”. “Unë e njoh Majlindën që prej kohësh pas pranimit në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos. Më vonë ishte Kampionati Botëror për Junior në Paris dhe për herë të parë ishte duke u intonuar himni I Kosovës dhe flamuri i Kosovës ishte aty. Sinqerisht unë isha duke qarë nga emocionet dhe respekti për përpjekjet e saj dhe përpjekjet e Federatës së Xhudos. Me këtë rast unë dua ta përgëzoj kryetarin Agron Kuka, trajnerin Dritonin dhe të gjithë anëtarët e federatës për rezultatet më të mira të arritura nga ta dhe më shumë se kaq është një rast i vetëm që rezulton nga Majlinda që vërtetohet se Kosova ka një sistem të fortë metodik në xhudo dhe shpresoj që në lojërat e radhës Olimpike në Tokio ata do ta kenë mundësinë të marrin edhe më shumë medalje”, ka deklaruar ai.

Për fund, Vizer u shpreh se është i impresionuar me punën që është bërë nga organizatat sportive pas pranimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe, sipas tij, shpirti luftarak i një shteti siç është Kosova bën gjithçka të mundur. “Unë jam i impresionuar me të vërtetë për të gjitha përpjekjet për pranim pasi Kosova u pranua. Unë mendoj se shpirti i kombit ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm sepse edhe në fillim ishte shumë i vështirë pranimi dhe pothuajse nuk kishte shanse, mirëpo shpirti luftarak dhe shpirti i fortë si dhe profili i një kombi krenar më në fund bëri gjithçka të mundur”, ka përfunduar Vizer.

Kujtojmë se kjo nuk ishte vizita e parë e Vizerit në Kosovë, pasi që ai ka qenë edhe më herët në shtetin tonë dhe njihet si një ndër personat që e ka ndihmuar Kosovën më së shumti në procesin e pranimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koreja e Veriut ka kryer testimet e reja raketore për…