Vizioni politik i Adem Jasharit
Bedri Islami
Lavdia u takon atyre që flijohen për vizione të mëdha (12)
Ai nuk do të kthehet në vendin e tij për të bërë llafe të pabukë dhe të pafund. Kur ishte kthyer ai kishte përcaktuar që dhjetë vjet më parë përgjigjen e pyetjes, që jo një herë e kishte thënë Hamza, “A po bëhet ma laps, a po bëhet me pushkë”. E kishin përcaktuar si Fis që ditën kur ishte vrarë kushëriri i tyre Tahir Meha, brezi i tretë i kësaj familje që bënte luftë me Serbinë.
Vizioni i qartë politik, se lufta duhet filluar që nga vetvetja e duhet bërë në Kosovë, do të jetë ndër vendimtarët në politikën e fundshekullit të shkuar. Adem Jashari, krahas tij edhe figura të tjera madhore si Zahir Pajaziti, do ta kishin meritën e jashtëzakonshme, të papërsëritshme do të thosha që pasi përcaktuan qartësisht vizionin e tyre, u bënë njëkohësisht edhe mishërues të këtij vizioni.
Në librin e shenjtë kristian, Biblën, është edhe thënia e njohur e Jesus Krishtit, se “nuk mund të jesh profet në vendlindjen tënde”. Shembulli i Adem Jasharit dëshmoi se mund të ndodhte edhe ndryshe. Mund të ishte profet edhe aty ku kishe lindur. Kjo do të ndodhte nëse nuk do të shkëputeshe kurrë nga vendi yt, nëse nuk do t’i humbisje ato lidhje të veçanta që të mbajnë fuqishëm pas saj.
Kjo nuk do të thotë se duke qenë vetë jashtëzakonisht i lidhur me tokën ai do të kishte përbuzje ose largesë ndaj atyre që ishin jashtë. Strukturat ilegale që ishin jashtë Kosovës, disa tepër të rëndësishme, si sektori i veçantë pranë Lëvizjes Popullore të Kosovës, apo të tjera do të kishin përherë mbështetjen e tij. Këtë e dëshmojnë letrat që ka dërguar apo porositë që ka dhënë. Edhe në letrën e tij të fundit, dhjetor 1997, është e pranishme një gjë e tillë. Është ndoshta i njëjti mesazh që do të niste nga salla e gjyqit Ukshin Hoti, kur, i pranguar, në prag të burgosjes së gjatë, do t’i dërgonte përshëndetjet e tij shokëve të lëvizjeve ilegale jashtë Kosovës.
Ideja e Adem Jasharit për të gjetur mbështetje te njerëzit e tij, në tokën e të parëve, është tejet e lashtë, ajo është një ide prometheiane. Mirëpo, aq sa është e lashtë, aq është edhe e rrallë në shfaqjen e saj në historinë e kombeve. Ne jemi fatlumë që kishim një Njeri, i cili, në fundin e shekullit të njëzet, e risolli këtë ide te ne, në formën më të mrekullueshme të shfaqur dhe, njëkohësisht, në formën më të heshtur. Është ndër rastet e rralla, kur e madhërishmja shfaqet krejtësisht e heshtur.
Vizioni politik i Adem Jasharit shkonte përtej asaj që mund të quhej fusha e tij e veprimit. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe deri në fillimet e viteve ’90, qëndresa kundër pushtimit serb do të kishte disa shëmbëlltyra, herë më të spikatura e herë më të zbehta por, sidoqoftë, thuajse në çdo dhjetë vjet ka pasur një ngritje masive. Kjo ka qenë e rëndësishme, pasi asnjëri brez nuk mund të quhet brez i humbur, pavarësisht se u bënë investime të mëdha për të pasur jo një, por disa breza të tillë.
Lëvizjet kryengritëse të shqiptarëve në Kosovë deri në shfaqjen madhore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin qenë në konturet e kufijve të shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Megjithëse e kishin ditur se në rastet e halleve të mëdha mund të mbështeteshin te shteti amë, gjithçka që ishte rrokullisur në pesëdhjetë vjetët e fundit, e bënin të vështirë shkuarjen më tej se dëshira apo ideja.
Adem Jashari do të krijonte, fillimisht në kujtesën e vet, e pastaj në konfiguracionin politik të strukturave të luftës, idenë e saktë se lufta do të mund të fitohej, nëse shteti amë do të ishte streha e dytë e luftës.
Është i njëjti mendim politik i shfaqur në të gjitha veprat e Ukshin Hotit. As njëri dhe as tjetri, megjithëse ishte koha kur mbi Shqipërinë hidheshin gurët e mëdhenj të sharjeve, nuk e mohojnë atë, nuk e shohin si njerkë, por si nënë dhe e trajtojnë si të tillë. Me mijëra e qindra mijëra artikuj do të shkruheshin në shtypin udbash kundër Shqipërisë, asnjëri prej tyre nuk do të bënte vend në mendimin e Adem Jasharit. Për të bërë sa më të qartë këtë vizion brenda vetes, ai rikrijon mitin e Çerçiz Topullit dhe bashkë me të vëllanë, Hamzën, mitin e Mihal Gramenos.
Ai mund të ngrinte brenda vetes një mit tjetër. Kishte mjaft të tillë, mirëpo ai e kërkon deri atje ku mendon se mund të jetë shembulli më i skajshëm, në Gjirokastër dhe ku është edhe njëkohësisht më domethënës: një toskë, luftëtar i vrarë nga sllavët në daljen buzë liqenit të Shkodrës.
Disa vite pas ngjarjes së njohur, Murat Jashari, nipi i Hamzës dhe i Ademit, për një ekip kineastësh nga Shqipëria, do të thoshte se “shpirtrat rilindin. Shikojeni filmin e Çerçiz Topullit, ngjarjet dhe figurat që kanë lëvizur në atë film dhe në pozicione të ngjashme është gjetur Adem Jashari me shokët gjatë luftës. E njëjta ngjarje ka ndodhur, e njëjta luftë. Çerçizi ka pasur pak fjalë. Edhe Ademi ka folur shumë pak. Anën diplomatike në filmin e Çerçiz Topullit e ka udhëhequr Mihal Grameno. Atë rol, ndërkaq, tek ne e ka pasur Baci Hamzë…”.
E vërteta është edhe më e gjerë se kaq. Mirëpo nipit të Jasharëve, në modestinë e tij, i takonte vetëm kaq të thoshte. Mirëpo, ajo që ishte themelore dhe që ka mbetur ende në kujtesën e të gjithëve është pikërisht miti që ngriti Adem Jashari, jo thjeshtë se nuk mund të ngrinte një mit tjetër, por sepse e kishte të qartë tashmë se njerëzve u duhej ideja e luftës së përbashkët, jo vetëm përmes gjërave të zakonshme, por edhe përmes miteve.
Në ditët e netët e luftës së njohur të 5, 6 dhe 7 marsit, Adem Jashari do t’i kthehej edhe një herë mitit të tij: gjatë gjithë kohës ai do ta këndonte këngën e njohur të Çerçiz Topullit. Do ta përsëriste dhe e ripërsëriste, do ta kthente në thirrje e forcë dhe, më pas, pak kohë pas përfundimit të luftës, Besarta, e vetmja mbesë e fisit që mbijetoi, do të thoshte se “sa kam dëgjuar bacin Adem që këndonte, hiç nuk kam pasë frikë…”.
Vizioni i Adem Jasharit, se lufta duhej kaluar përmes të gjithë kombit, do të ishte më se i saktë dhe jetik. Ai në shumë raste do të ishte ndër faktorët më përcaktues dhe njeriu i heshtur, Adem Jashari e kishte ditur dhe e kishte paraprirë këtë. Ukshin Hoti do ta përcaktonte me veprën e tij, Adem Jashari, do ta mishëronte me jetën e tij. Megjithatë, nuk janë vetëm këto. Këta ishin dy gurët e mëdhenj që ai ngriti, me forcën e një titani, në rrugën që donte të bënte, por kjo do të ishte, po ashtu, e pamjaftueshme.
Ai eci edhe më tej…
Adem Jashari nuk do të ngutej. E kishte të qartë se asgjë nuk do të vinte për së mbari nga grykat e Velanisë, por as nuk i bëhej merak për këtë. Po të ishte puna që të pyeteshin “institucionet” e Kosovës, as për njëqind vjet nuk do të kishte filluar qëndresa e armatosur për të shkuar drejt luftës së pashmangshme. 30 dhjetori i vitit 1991 do të ishte fillesa e pagëzimit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëse do të kishim pasur ngutje, nëse njeriu mit do të kishte menduar se “hajt, po ia fillojmë”, do të kishte qenë lehtësisht e mundshme që çdo gjë do të ishte shkatërruar e rrënuar, ani pse njeriu që do të kishte filluar, do të kishte mbetur në histori.
Në vitin 1993, në një fjalim publik, me rastin e varrosjes së dy dëshmorëve, Ukshin Hoti, vizionar dhe njëkohësisht dinjitoz si ai, do të thoshte krejt hapur se “Kosovës i duhet ushtria e saj çlirimtare”. Do të ishte e njëjta gjë që do të sendërtonte Adem Jashari, pasi e kishte kërkuar atë, pasi kishte punuar për ta pasur atë. Mendimi vizionar, i thënë krejt shkurt nga Adem Jashari, po ashtu krejt saktë se “armët nuk i kam marrë për t’ia dorëzuar Serbisë, por që ta bëj luftën kundër saj”, është krejt i njëjtë me përqasjen filozofike të Ukshin Hotit, për domosdoshmërinë e krijimit në Kosovë të ushtrisë së saj çlirimtare.
Vizioni politik i Adem Jasharit është i mbështjellë me konfigurimin e armës, ndërsa ka në thellësinë e vet mendimin e qartë se lufta ishte e domosdoshme, pasi nuk do të kishte rrugë tjetër dhe, së dyti, kjo luftë nuk duhet bërë, ashtu kaçakçe, si kishte ndodhur jo rrallë në historinë e kombit tonë. Ai kërkonte që të luftohej. Kjo luftë, nëse do të ishte e domosdoshme, do të fillohej nga vatra e tij, për të shkuar më tej në të gjithë Kosovën. Por jo një luftë e ngulitur thjesht në një mal, me njerëz që qesin pushkë thjesht se nuk e duan pushtimin dhe Serbinë, me njerëz të cilëve u ka ardhur deri në fyt e keqja e pushtimit. Ai kërkonte shumë më tepër se kaq dhe, për të ngritur një gjë të tillë, ai kishte aftësinë që të priste, të ecte në drejtvizimin e duhur, të mos ngutej dhe të mos krijonte rreth vetes një rreth të mbyllur.
Më shumë se gjithçka kjo do të ishte një luftë politike dhe kjo kërkonte një drejtim politik.
Për të ardhur deri në mesin e vitit 1993, kur edhe zyrtarizohet prania e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të kishin kaluar disa vite. Në fillimet e vitit 1989 dhe më pas, Adem Jashari do të ishte një ndër anëtarët e strukturave ilegale që do ta kërkonin ngritjen e ushtrisë së shqiptarëve të Kosovës. Në bisedë me Ramadan Avdiun, asokohe një ndër drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, Grupi i Drenicës, mes të cilëve spikaste roli dhe figura e Adem Jasharit, do të thoshte qartësisht: “Ne jemi të gatshëm të bëjmë edhe nga një aksion në javë, por dikush duhet t’u dalë zot aksioneve tona. Jo vetëm t’i mbështesë, por edhe të ketë përfaqësimin politik, mbështetjen politike”.
Kjo do të ndodhte për herë të parë pas shumë e shumë viteve. Deri atëherë lëvizjet spontane apo të organizuara të qëndresës shqiptare në Kosovë nuk e kishin pasur këtë element thelbësor, tani forcat politike ilegale e kërkonin këtë, ndoshta edhe duke pasur parasysh përvojat e deriatëhershme. Adem Jashari do të ishte një nga të parët që do ta kërkonte këtë si forcë madhore për ta krijuar qëndresën e armatosur dhe luftën deri në fitore.
Sado thellë që të futesh në jetën dhe rrugëtimin e këtij njeriu nuk do të gjesh dot asnjë rast të vetëm, qoftë edhe krejt minor, në të cilin ai do të kërkonte të shfaqej si figurë kryesore. Fjalëpakë si rrallëkush, ai do të bëhej edhe më i heshtur kur do të ishte fjala për rolin e tij. Në mënyrë këmbëngulëse ai nuk e kërkoi asnjëherë krijimin e figurës së tij si prijës apo lider, gjithçka ndodhi mrekullisht vetë, pa asnjë dekret dhe fjalë.
A kishte pasur rast kur ai do të shfaqej haptas si njeri themelor i luftës që po vinte? Sigurisht që ka disa të tillë.
Është i njohur fakti se rrethimi i parë i kullave të Jasharëve ndodhi më 30 dhjetor të vitit 1991. Në shtëpi ishin të tre djemtë: Rifati, Hamza dhe Ademi. Ishte i ati i tyre, baca Shaban, ishin pjesëtarët e tjerë. Rrethimi kishte filluar që në orët e vona të mbrëmjes dhe, si do të dëshmonin më vonë pjesëtarët e familjes Jashari, ka qenë i pritur prej tyre. Ishte piku i dimrit, ftohtë i jashtëzakonshëm, gjithkah ishte mbuluar nga dëbora. Tre burrat e familjes Jashari, pas përqeshjeve të forta, do të çajnë rrethimin dhe do të dalin në kahe të ndryshme, nga ku ndezin edhe një herë zjarrin e luftës. Policia merr peng 27 anëtarët e familjes Jashari, ndërsa të gjithë meshkujt, prej Fitimit e lart, pra ata që i kishin mbi 13 vjet, i nxjerrin me duar të lidhura, në borë, para tankut.
Policët e nxjerrin edhe nënën e Jasharëve si mburojë përpara, duke dashur të hyjnë në shtëpi, gjithnjë me mendimin se Ademi ishte brenda. Ndërkohë Grupi i Drenicës ishte mbledhur. Me orët që shkonin kanë filluar të shkojnë në ndihmë të Jasharëve njerëz të armatosur nga Prekazi, nga të gjitha anët e Drenicës, por edhe me gjerë se kaq. Mali përballë kullave është mbushur me njerëz. Secili e kishte nga një armë me vete. Janë mbledhur për të gjykuar dhe u kanë thënë Jasharëve “Merrni komandën dhe udhëhiqeni luftën”. (Vijon)