Vizita e Grenellit dhe Boehlerit, shenjë e fuqishme e angazhimit të ShBA-ve për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit
Kryetari i AKR-së, deputeti, Behgjet Pacolli, ka thënë se vizita e ambasadorit Richard Grenell dhe Adam Boehler, Kryeshef i Korporatës Amerikane për Financim Zhvillimor në Kosovë, është një shenjë e fuqishmë e angazhimit që Shtetet e Bashkuara i japin zbatimit të plotë të marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë për normalizimin ekonomik.
“Duke zbatuar me sukses projektet ekonomike dhe të infrastrukturës, ekonomia e Kosovës do të fitojë një formë dhe shtysë të re, e cila është e rëndësishme për krijimin e vendeve të reja të punës dhe lidhjen e tregut tonë me tregje më të mëdha në të gjithë Evropën”.
“Këto projekte më financin amerikan do të ndryshojnë mënyrën e të bërit biznes dhe do të hapin mundësi tjera zhvillimore për Kosovën”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Nesër, një delegacion i Shteteve të Bashkuara, i udhëhequr nga Koorporata Financiare Ndërkombëtare për Zhvillim (DFC), Adam Boehler, do të vizitojë Prishtinën, në kuadër të vizitës që pritet të fillojë nga Athina.
Pjesë e delegacionit do të jetë edhe i dërguari i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.
(Q.R / Epoka e re)