Vizita e Kurtit në ShSKUK, deputeti Haxhiu tregon si u turpërua Kurti: Dështim për tri vite në shëndetësi
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka reaguar për vizitën e kryeministrit në ShSKUK.
Ai përmes një postimi në “Facebook” ka shkruar se Kurti i turpëruar për gjendjen në Kujdesin Intenziv dhe në ShSKUK, ai u detyrua që intervistën për medie ta japë para Klinikës së Stomatologjisë.
“…ta ‘promovon’ implantin – mbjelljen e dhëmbit, e që është pasojë e dështimit në parandalim dhe shërimit të dhembit. Kryeministër pse nuk fole për gjendjen në shëndetësi para kujdesit intenziv aty ku po trajtohet Elza Ujkani?! Pse nuk fole për gjendjen buzë kolapsit në Klinikën e kujdesit intenziv? A të treguan sa është e lartë përqindja (%) e vdekshmërisë në kujdesin intenziv? Pse menaxherët e emëruar nga Qeveria Kurti e kanë zvogëluar numrin e shtretërve në kujdesin intenziv dhe kanë zvogëluar resurset njerëzore? Pse nuk fole për gjendjen në emergjencë, aty ku luftohet të shpëtohet jeta, e që ju për tri vite nuk keni bërë asnjë investim si në aparatura e pajisje mjekësore apo trajnim të stafit?”, ka shkruar deputeti Haxhiu.
Ai ka theksuar se për këto tri vite, dështimi është strategjia e vetme e Qeverisë Kurti në shëndetësi.
“Deri më tani asnjë hap të vetëm për implementim të sigurimeve shëndetësore. Listat e pritjes për operacione dhe procedura diagnostikuese është rritur me vite, mungesat e barnave dhe materialit shpenzues janë të përditshme, mburrja me mbjelljen e dhëmbëve tregon se kjo Qeveri as nuk e kupton se cilat janë prioritetet në shëndetësi”, ka thënë Haxhiu.
Ai në fund ka theksuar se në cfarë cilësie Kurti e vizitoi ShKSUK-në. “P.s. Në çfarë cilësie e vizitoi Albin Kurti SHSKUK-n si Kryetari i Komisionit për Shëndetësi si i vetëemëruar apo si i pari i Qeverisë së dështuar”, ka deklaruar Haxhiu.