Vizita e parë e Kim Jong-un jashtë Koresë së Veriut
Lideri i Koresë së Veriut, ka zgjedhur Kinën si destinacion për udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që pas marrjes së pushtetit më 2011. Kjo raportohet nga mediat ndërkombëtare që bazohen në një tren të blinduar të mbërritur në Pekin nga Koreja Komuniste.
Zërat u përhapën në kryeqytetin kinez pas imazheve televizive të ardhjes së një treni të Koresë së Veriut, të blinduar dhe të ngjashëm me atë të përdorur nga babai i tij Kim Jong-il për të udhëtuar në Moskë dhe Pekin, pak para vdekjes së tij në dhjetor 2011.
Ky veprim ndjek vendimin e Presidentit amerikan Donald Trump për të pranuar zhvillimin e një takimi me Kim pas uljes së tensioneve mes dy Koreve të favorizuar nga Olimpiada Dimërore e PyeongChang dhe dëshira e liderit, të cilin e takuan zyrtarët e Koresë së Jugut pak javë më parë. Gjatë këtij zhvillimi, udhëheqësi i Phenianit shprehu gatishmërinë e tij për denuklarizimin e gadishullit.
Lidhjet midis Kinës dhe Koresë së Veriut janë ftohur gjatë muajve të fundit, veçanërisht pas pranimit të Pekinit, të metodës së presionit të Trump, konkretisht sanksionet e vendosura nga Këshilli i Sigurimit i OKB’së për shkak të programeve bërthamore dhe raketore të regjimit komunist.
Që nga ardhja e tij në pushtet Kim Jong-un, ndryshe nga udhëheqësit e së kaluarës, nuk ka takuar ende liderët kinezë.
Ndërkohë, Koreja e Veriut ka ngadalësuar aktivitetin e saj në sajtin bërthamor të Punggye, në veri të vendit, ku janë kryer testet e fundit. Kjo është raportuar nga administrata amerikane që bazohet në pamje satelitore.