Vizita e shefit të CIA-s, Joseph: Besoj që Burnsi i ka thënë Kurtit të mos ndërmarrë veprime të njëanshme

27 gusht 2024 | 15:41

Edward Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në ShBA, ka folur rreth vizitës së shefit të CIA-s, William Burns, në Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë për “Radio Evropën e Lirë”, Joseph ka interpretuar ndikimet që kjo vizitë e shefit të CIA-s mund të ketë në Ballkanin Perëndimor. Sipas Josephit, kjo vizitë ka potencial të ndryshojë diçka në rajon, por jo në mënyrë dramatike.

Në këtë intervistë, Joseph ka treguar se çfarë beson që i ka thënë Burns-i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Shikojeni fotografinë që është publikuar. Keni parë Burnsin të ulur pranë kryeministrit (të Kosovës, Albin) Kurti. Në të djathtë të Burnsit ka qenë ambasadori (i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey) Hovenier, duke marrë shënime. Unë mendoj se ajo që Burns i ka thënë Kurtit, është mesazhi që ka dhënë edhe ambasadori Hovenier për të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe për të mos destabilizuar rajonin. Si drejtor i CIA-s, Burns mund të ketë kërkuar edhe rritjen e ndërgjegjësimit për aktivitetet dhe interesimin e Rusisë në rajon”, ka thënë ai.

Më tutje, profesori amerikan ka treguar edhe për atë se çfarë ka mundur t’i thotë kryeministri Kurti shefit të CIA-s në takimin gati një orësh në Prishtinë.

“Në anën tjetër, Kurti mund t’i ketë bërë presion Burnsit për pozicionin e SHBA-së ndaj Vuçiqit dhe për rastin e sulmit në Banjskë. Sepse, Burns është personi ideal për t’u pyetur në lidhje me Banjskën, çfarë ka ditur Vuçiq dhe cili ka qenë roli i tij. Ky mund të ketë qenë një moment ideal për ta ngritur këtë çështje. Nuk e di nëse Kurti e ka bërë këtë, por shefi i CIA-s është personi ideal”, ka thënë Joseph.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas finaleve të Evropianit “Gjermani 2024”, Kombëtarja shqiptare rikthehet në…