Vizita në Hagë, Haxhiu: Bota duhet ta dijë sërish se kriminelët e luftës ishin në anën e Serbisë
Ministri i Drejtësisë (MD), Albulena Haxhiu, ndodhet për vizitë në Gjykatën Speciale në Hagë.
Nga Haga, ku ka takuar disa nga të paraburgosurit në Speciale, Haxhiu ka kujtuar disa nga masakrat më të tmerrshme që Serbia ka kryer në Kosovë.
Në këtë kontekst, Haxhiu ka thënë se dihet botërisht se kush janë kriminelët. Ajo ka thënë se kriminelët kanë qenë në anën e Serbisë, ku sipas saj vazhdojnë të jetojnë në shtetin serb.
“23 vjet më parë, Kosova po përjetonte një gjenocid të tmerrshëm të vrasjeve masive të popullsisë civile. Një pranverë e cila po karakterizohej me operacione shoviniste të Serbisë ndaj popullsisë shqiptare. Në Pastaselë të Rahovecit më 31 mars 1999 u ekzekutuan dhe masakruan 106 shqiptarë nga ky fshat dhe fshatrat e tjera që kishin ardhur për strehim. Në Burim të Malishevës, më 31 mars 1999 janë vrarë 42 shqiptarë, kufomat e të cilëve janë masakruar. Viktimat ishin nga mosha 16 – 72 vjeç. Nëse botërisht ishte e qartë se kush ishin kriminelët e luftës, në vitin 1998/1999, bota duhet të dijë sërish, se kriminelët ishin në anën e Serbisë. Shumë prej tyre vazhdojnë ende të mbesin të lirë. Drejtësia ende mungon për viktimat, për familjarët dhe për popullin e Kosovës. Institucioneve të Republikës iu mbetet të përkushtohen edhe më tej që kriminelët serb të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e vet në “Facebook”.