Vizitë normale në moment jonormal dhe me prapavijë jonormale

03 prill 2024 | 16:14

Milazim KRASNIQI

Vizita e Albin Kurtit në Leposaviq është vizitë e kryeministrit të Kosovës në një qytet të Kosovës, prandaj kushdo që shprehë çudi ose ekzaltim, e ka gabim. Bile është për keqardhje pse për gjithë këto vite nuk është arritur në një normalitet, ku edhe vizitat e zyrtarëve të lartë shtetërorë, do të ishin normale. Por, as jonormaliteti i rrënjosur për kaq vite, një vizitë të kryeministrit të Kosovës në një qytet të Kosovës, nuk e bën jonormale. Ata qytetarë financohen nga buxheti i Kosovës dhe janë të obliguar të respektojnë ligjet e Kosovës. Pra, parimisht vizita/vizitat nuk duhet të shihen as si sukses, as si problem.
Me gjasë problem paraqet momenti, prapavija, motivi i vizitës së sotme të Kurtit në Leposaviq. Pse? Sepse në takimin e nesërm në Bruksel për dinarin, mund të bëhen lëshime lidhur me legalizimin dhe qarkullimin e dinarit në Kosovë. Prandaj vizita mund të jetë një tentativë për të rritur kreditë e Kurtit, për ta maskuar disi kompromisin për dinarin. E dyta, meqë më 21 prill në komunat e veriut mbahet procesi për largimin e kryetarëve shqiptarë, vizita mund të jetë edhe si një shprehje triumfalizmi, para se të ndërpriten mandatet e katër kot-kryetarëve. Dhe e gjithë kjo pastaj mund të paketohet si parapërgatitje për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, meqë laku për Asociacionin është shtrënguar shumë rreth qafës së qeverisë Kurti. Deklarata e djeshme e Peter Stanos thotë se për BE-në formimi i Asociacionit është çështje urgjente. Meqë qenka urgjente, e vetmja mënyrë për ta shtyrë është shkuarja në zgjedhje. Ndërsa shkuarja në zgjedhje ka lazëm për propagandë, pseudopatriotizëm dhe xhurrulldi. Kurti faktikisht e ka nisur fushatën për zgjedhje.
Mirëpo, Kurti me veprimet dhe propagandën e tij duhet ta ketë para sysh edhe rrezikun e konfliktit të veri. Siç ka pohuar admirali Xhejms Stavridis, Rusia po e shtyn Serbinë për një konflikt në Kosovë e në BeH. E tash, nëse Rusisë po i konvenon një konflikt në Kosovë, e sigurt është që Kosovës dhe NATO-s nuk i konvenon asnjë konflikt këtu. Prandaj edhe veprimet e qeverisë Kurti duhet ta shmangin konfliktin, e jo t’i krijojnë alibi konfliktit, i cili i duhet Rusisë. Nga analiza e detajeve të deklaratave e veprimeve të ditëve të fundit, fitohet përshtypja se qeveria Kurti ose nuk ka aftësi të bëjë analiza, ose i bën analizat gabimisht, ose po e provokon konfliktin qëllimisht. Pse? Nëse është e saktë deklarata e ministrit të brendshëm, se në afërsi të Kopaonikut po përgatiten trupa serbe për sulm ndaj Kosovës, atëherë në këtë moment e përballë atij rreziku, nuk ka vend për vizitë të Kurtit në Leposaviq, meqë ajo vizitë për serbët llogaritet si provokim. Pra vizita vetëm sa mund t’i shtyjë serbët e Leposaviqit në përqafim të planeve të Radojçiqit, Vuçiqit e Putinit.Vërtet ka shumë paqartësi, pse bëhen disa veprime, që vetëm e komplikojnë gjendjen edhe ashtu të rëndë. Kosovës i duhet normaliteti. Kur të arrihet normaliteti edhe vizitat në veri bëhen krejtësisht normale, në çdo moment që të zhvillohen. (3 prill 2024)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nebi Ahmetaj shpall te pavlefshme dipllomen Q.K “11 Marsi“ Prizren.