Vjedhja e parasë publike, përplaset deputeti Haxhiu me ministrin Murati

28 korrik 2021 | 12:51

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu është përplasur me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë seancës së sotme plenare.

Haxhiu ka ngritur dyshime për një vjedhje të re në Thesarin e Shtetit në vlerë prej 200 mijë eurosh dhe ka akuzuar ministrin për fshehje të rastit. Ndërsa, ky i fundit tha se i njëjti nuk është fshehur, por ka ndodhur në një organizatë tjetër buxhetore dhe jo përmes Thesarit. Ai tha se gjitha mjetet janë kthyer dhe rasti është në Prokurori.

“A ka ndodhur një muaj më parë një vjedhje e ngjashme në thesarin e shtetit prej 200 mijë euro. A janë paguar një kompanie 200 mijë euro edhe pse është mbajtur fshehtë? 2.1 milionëshi nuk është mbajtur fshehur, por e ka marrë vesh krejt bota. Por pse këto 200 mijë euro duhet të mbahen fshehur dhe a ka kallëzime penale për zyrtarët e thesarit që kësaj kompanie ia kanë qitur 200 mijë euro. Emrin e kompanisë e kam këtu, e dini edhe ju. E di që keni qenë në presion, më kanë treguar zyrtarët e ministrisë. Por pse duhet të mbahet fshehur”, tha Haxhiu në seancën e sotme plenare.

Në kundërpërgjigjen e tij, ministri Murati e akuzoi për shpifje deputetin Haxhiu, derisa dha sqarime për rastin.

“Një rast i pagesës së dyfishtë për shkak të sistemit ka ndodhur nga një organizatë buxhetore, e cila ka qenë e paligjshme. S’ka ndodhur në Ministri të Financave, ka ndodhur nga një organizatë buxhetore tjetër, jo përmes Thesarit. Ne si Ministri e Financave kemi marrë gjitha masat, gjitha mjetet janë kthyer deri në centin e fundit, rasti është në prokurori. Nuk është fshehur, kemi pasur konferencë për medie lidhur me këtë çështje”, tha ai.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën aktuale plenare janë duke diskutuar lidhur me rishikimin e dytë të Buxhetit për vitin 2021. /KP

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vajza 18-vjeçare, Anjeza Bellanica, e cila humbi jetën në aksidentin…