Vjen kërkesa e parë nga Sektori Privat për Qeverinë Kurti
Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit privat po kërkon nga Qeveria e re që nga një maji paga minimale të jetë 350 euro.
I pari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, ka deklaruar se ngritja e pagës minimale në 350 euro do të jetë kërkesa primare ndaj qeverisë Kurti.
Përveç pagës minimale, Azemi ka përmendur edhe disa nga problemet e tjera me të cilat janë ballafaquar punëtorët e sektorit privat. Ai ka thënë se si problem i parë është edhe mos implementimi i Ligjit të punës si dhe nënshkrimi i kontratës kolektive.
“Ne urojmë që kjo qeveri të punoj me më shumë përkushtim për punëtorët e sektorit privat, sepse e kemi thënë edhe më herët se fare nuk është bërë për punëtorët e sektorit privat të Kosovë, ne presim dhe si kërkesë e parë do të jetë që nga 1 maji të jetë ngritja e pagës minimale në pagën 350 euro dhe ishte kërkesë primare që punëtorët t’i gëzojmë me një ngritje të pagës me 1 maj”, ka thënë Azemi.
Sipas tij, krahas saj janë grumbulluar probleme të mëhershme që qeveritë e kaluara s’janë ballafaquar dhe s’janë marr me këto probleme. “Si problem parësorë është që implementimi i Ligjit të punës, nënshkrimi i kontratës kolektive me të cilën ka nevojë të bëhen ndryshime, por edhe me këto që i kemi po kërkojmë një mënyrë shumë të shpejtë të fillojë implementimi i tyre, pasi që do të krijoheshin kushte më të mirë për punëtorët e sektorit privat të Kosovës, dhe do të kërkojmë me ngulm që inspektorati i punës ta kryejë punën e vet me gjallëri sepse në të kaluarën nuk e ka bërë këtë dhe shpresojmë që pozita e punëtorit do ta ketë atë pozitë që ja jep ligji i punës dhe marrëveshja kolektive”, u shpreh ai.
Meqenëse që nga viti 2011 nuk është asnjë rritje sa i përket pagës minimale, ai thotë se çdo rritje e cila është nën shumën 350 euro, sipas Azemi është pagë që nuk ja vlen të diskutohet. “Te rritja e pagës në 350 euro po thirrna nga deklarimi i tani kryeministrit i cili në 52 ditkëshin e viti të kaluar është deklaruar vetë se paga minimale e punëtorit të sektorit privat duhet të jetë 350 euro, sepse çdo pagë nën pagën 350 euro është pagë për të cilin nuk ja vlen fare me ndryshuar sepse ne jemi të dëmtuara që nga viti 2011 nuk është bërë asnjë ndryshim i kësaj page, dhe shpresoj që do të jetë në interes të punëtorit dhe në interes të pronarit kompanisë por edhe në interes të shtetit dhe çdo herë do ti ofrojmë bashkëpunim qeverisë së re”, u shpreh Azemi në një intervistë për “EO”,
“Paga minimale duhet të jetë 350 euro që t’i mbulojë gjërat elementare të mbijetesës për një familje tre katër anëtarësh”, tha ai.
Azemi tutja ka thënë se do të jenë të zëshëm dhe kritikë edhe ndaj qeverisë Kurti në rast se nuk trajtohen si duhet punëtorët e sektorit privat.
“Ne as nuk do të jemi më të zëshëm e as më të ngadalshëm, për neve të gjitha qeveritë kanë qenë qeveritë tona dhe kemi arritur marrëveshje, kemi qenë bashkëpunues, po ashtu do të jemi edhe tash sepse neve nuk është me rëndësi a është Avdullah Hoti apo Albin Kurti, ne i kemi vizionet tona dhe nuk lidhemi për emra. Ne dëshirojmë dhe kemi një vullnet që të bashkëpunojmë për problemet që i kemi, kemi shpresa se diçka duhet ndryshuar dhe ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha rrugët sindikale që me bisedime t’i zgjedhim problemet, por nëse jo normal që jemi të prirë për protesta dhe greva nga e kaluara jonë”, u shpreh Azemi.