Vjen një mesazh nga BE-ja: Në kohën e pandemisë kërkohet unitet
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, në një intervistë për Telegrafin ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke bërë thirrje që në situatën pas pandemisë COVID -19 të ketë unitet dhe konsensus politik për ta tejkaluar krizën.
Ambasadorja Apostolova ka thënë se Bashkimi Evropian po ndjek nga afër zhvillimet e fundit politike në vend.
“Ne po ndjekim nga afër zhvillimet në vazhdim në Kosovë. Situata aktuale e pashembullt e shpërthimit të COVID-19 bën thirrje për konsensus, unitet politik dhe qëllim të përbashkët në krizë” ka thënë Apostolova.
Sipas saj, në këtë kohë partitë politike duhet të kenë unitet për mirëqenien e popullit.
“Partitë politike duhet të kujdesen para së gjithash për mirëqenien e popullit të Kosovës mbi ndonjë interes partiak” ka thënë Apostolova.
Ndryshe, në kohën kur krejt bota po merret me çështjen e menaxhimit të situatës pas shpërthimit të pandemisë me COVID-19, në Kosovë ka shpërthyer kriza politike ndërmjet partnerëve të koalicionit – Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo erdhi pasi kryeministri Albin Kurti ka shkarkuar ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, për të cilin tha, pos të tjerash, se ka shpërndarë panik te qytetarët me deklaratat për koronavirusin.
Ndryshe, LDK pa prezantuar largimin nga qeveria dhe ka nisur një mocion i cili është përkrahur deri tash nga AAK-ja dhe Nisma Socialdemokrate për rrëzimin e qeverisë Kurti.